Maqedoni
Qeveria: Spasovski, Osmani, Filipçe dhe Ademi në izolim
16.04.2020 15:25
Kryeministri, Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani...

Kryeministri, Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe ministri i arsimit, Arbër Ademi, si dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Vlladimir Milloshev, shkojnë në izolim shtëpiak, për shkak të pjesëmarrjes në mbledhjen e shtabit të krizës në Kumanovë, ku 10 anëtarë, përfshirë edhe kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, rezultuan të prekur me virusin Korona.
“Pas informacioneve se kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka rezultuar pozitiv me Kovid-19, ndërsa i njëjti ka mbajtur mbledhje të shtabit të krizës në Kumanovë, e informojmë opinionin se kryeministri, Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ministri i arsimit, Arbër Ademi, dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Vlladimir Milloshev, të cilët morën pjesë në mbledhje, do të jenë në izolim shtëpiak”,- bëjnë të ditur nga Qeveria.
Megjithatë, nga Qeveria theksojnë se në mbledhjen e shtabit në Kumanovë, përfaqësuesit e Qeverisë i kanë respektuar masat mbrojtëse, ndërsa edhe në këto rrethana do të vazhdojë puna e qeverisë.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte e përgatitur për të gjitha skenarët, përfshirë edhe skenarin e këtillë. Puna e Qeverisë do të vazhdojë të realizohet pa pengesa, me mjete digjitale të komunikimit dhe mbajtjes së mbledhjeve. Edhe në kushte izolimi vazhdon komunikimi i rregullt dhe koordinimi i të gjitha proceseve në vend dhe menaxhimin me krizën e virusit Korona”,- thonë nga Qeveria.
Menjëherë pas konfirmimit të kreut të Kumanovës se ka rezultuar pozitiv me Kovid-19, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, ka anuluar pjesëmarrjen në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të thirrur nga presidenti i Shtetit, Stevo Pendarovski, dhe është futur në izolim.
“Pas konfirmimit pozitiv për COVID-19 të kryetarit të Kumanovës, e meqë dje kishim takim në Shtabin Komunal në Kumanovë, pavarësisht se gjatë gjithë kohën kam qenë me mjete mbrojtëse personale, maskë dhe doreza që epidemiologët i vlerësojnë si të mjaftueshme për t’u mbrojtur, vendosa që sot mos të shkoj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të presidenti, si dhe të vetizolohem deri të martën kur duhet të bëhet testimi sipas protokolleve.”,- ka shkruar zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, në profilin e tij në facebook.
Edhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka konfirmuar se për shkak të arsyeve të lartpërmendura do të futet në izolim shtëpiak.
“Në mbledhje kam respektuar të gjitha protokollet dhe kam mbajtur pajisje mbrojtëse sikurse edhe gjithë të tjerët. Pres përgjigje nga epidemiologët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët do të na kryejnë anketat epidemiologjike mua dhe funksionarëve të tjerë të qeverisë të cilët ishin prezentë në mbledhjen e djeshme. Deri në marrjen e vlerësimit epidemiologjik dhe udhëzimeve për verifikimet e mëtejme, mbetem në izolim shtëpiak.”,- ka shkruar në facebook ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
GYLTENE SINANI
