Maqedoni
Këshilli i Sigurisë: Vazhdohet për 30 ditë gjendja e jashtëzakonshme
16.04.2020 15:48
Për përballje të suksesshme me virusin Korona është e nevojshme të vijojë gjendja e jashtëzakonshme...

Për përballje të suksesshme me virusin Korona është e nevojshme të vijojë gjendja e jashtëzakonshme edhe për 30 ditë të tjera. Këtë e tha presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, pas mbledhjes së pestë të Këshillit të Sigurisë. Ai njoftoi se për shkak të gjendjes së krijuar në Kumanovë nuk përjashtohet implementimi i strategjisë e cila dha rezultat në Dibër, ajo e karantinimit të plotë.
“Sipas vlerësimeve të bëra për periudhën të cilën vijon është e qartë se është e nevojshme sërish shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Vendimin do ta sjellë në pajtim me kompetencat e mia kushtetuese dhe do të zgjasë në 30 ditët në vazhdim. Qëndrimi im për Kumanovën është se duhet një kujdes dhe fokus i veçantë dhe shumë shpejt mund ta aplikojmë modelin e suksesshëm që u zbatua në Dibër dhe Qendër Zhupë dhe duke pasur parasysh se kemi komunë që ka mbi 100 mijë banorë dhe kjo paraqet një potencial shtesë që virusi të përhapet.”,- deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.
Pendarovski qartësoi disa dilema sa i përket aspektit juridik të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ai tha se bëhet fjalë për një situatë të paprecedent që nuk e parasheh kushtetuta, por përgjegjësinë për vendimin e marrë do ta bazoj në atë se bëhet fjalë për jetë njerëzish.
“Është e qartë se kushtetuta nuk parasheh një situatë të këtillë, Kuvendi të mos punojë dhe të mos mund të konfirmojë vendimin tim të parë për gjendje të jashtëzakonshme. Në situatë kur deputetët marrin paga, kur asnjëri nga ta nuk ka kërkuar apanazh, e cila vijon pas mbarimit të mandatit, që nënkupton se ata akoma janë me mandate validë, ndërsa Kuvendi akoma nuk funksionon, unë e marr përsipër përgjegjësinë për marrjen e këtij vendimi vetëm për shkak të asaj se kemi situatë të paprecedent kur është shumë më e rëndësishme ruajtja e jetëve dhe shëndetit të njerëzve sesa të fshihemi pas interpretimeve juridike.”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski.
Pendarovski gjithashtu njoftoi se gjendja ekzistuese e jashtëzakonshme mbaron sot dhe nuk do të vazhdohet formalo-juridikisht, por do të miratohet vendim i ri për shpalljen 30-ditore të gjendjes së jashtëzakonshme, pasi mundësi tjetër kushtetuese nuk ekziston. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, tha se shumë qytetarë kanë reaguar në lidhje me orën policore të zgjatur prej mbi 85 orëve, por shtoi se do të inkurajoj qeverinë që pas festave të definojë planin për kthimin në faza të aktivitetit ekonomik në normale për shkak se është e qartë se jo vetëm ne, por edhe bota, do të duhet të jetojmë me virusin për një kohë të gjatë.
ZEKIRJA MEXHITI
