Tetovë, rritet numri i të infektuarve me Kovid-19
Nga 390 teste të bëra për virusi Korona në Tetovë dhe komunat rurale, pozitivë kanë rezultuar 43 persona...

Nga 390 teste të bëra për virusi Korona në Tetovë dhe komunat rurale, pozitivë kanë rezultuar 43 persona, ndërsa katër prej tyre kanë ndërruar jetë.
Nga Shtabi i Krizës në Tetovë bëjnë edhe një herë apel që qytetarët të respektojnë masat e rekomanduara nga qeveria. Arifi ka theksuar më tej se nga bankat ka marrë garanci që do kujdesen për të menaxhuar me ketë situatë.
Sipas Arifit, së bashku edhe me komunat tjera të Pollogut kanë kërkuar nga QMK që të ndalojë komunikacionin urban mesë këtyre komunave me qëllim që të ulet lëvizja e qytetarëve.
“Dhe kjo tendencë për ne është shqetësuese dhe kërkon kujdes edhe nga qytetarët. Si rezultat i kësaj tendence në rritje ne kemi iniciuar të mbështetur nga komuna e Bogovinës, një komunikim me SHQK dhe kemi kërkuar që Shtabi Qendror i Krizës, të ndërpresë komunikacionin ndërurban ndërmjet të gjitha komunat në zonën e Pollogut. Tre ditët që janë ditë të mbylljes, janë ditë të mira për t’u mbrojtur nga zhvillimet në rritje të përhapjes së virusit, është mirë që të gjithë ne t’i ndjekim rregullat.”,- theksoi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Por, nga PDSH kanë kritikuar autoritetet qendrore, por edhe pushtetin lokal, se në pjesën perëndimore të shtetit nuk është përcaktuar një qendër rajonale për trajtim të kësaj epidemie, ndërsa PDSH sugjeroi që Spitali i Sëmundjeve të Mushkërive në Leshkë të jetë qendër rajonale për trajtim.
“Deklarimet nga Ministria e Shëndetësisë që piku i epidemisë pritet të jetë në fund të muajit prill dhe duke nisur nga fakti që në pjesën perëndimore të shtetit nuk është përcaktuar një qendër rajonale për trajtim të kësaj epidemie, PDSh sugjeroi që Spitali i Sëmundjeve të Mushkërive në Leshkë të jetë qendër rajonale për trajtim. Pasi që deri më sot nuk kemi asnjë veprim konkret në këtë drejtim, kjo na shtyn të konstatojmë që shtabi virtual i krizës në Tetovë, si dhe Spitali Klinik i Tetovës nuk kanë marrë asnjë hap apo përgatitje për organizim të mirëfilltë të funksionimit të një qendre rajonale.”,- tha Arben Demiri nga PDSh.
Ndërkohë edhe përkundër apeleve për reduktim të lëvizjeve në rrugët e Tetovës vërehet lëvizje e shtuar e qytetarëve.
“Masat respektohen jashtëzakonisht. Shteti jep masa, por nuk na jep ushqime, njerëzve nëpër shtëpi. Na thonë t’i qëndro në shtëpi por unë nuk kam çka të ha e të pi në shtëpi. E kemi vështirë t’i marrin paratë dhe ne nuk na japin asgjë. Do të dalim në protesta nuk rrihet kështu do protestojmë, kemi të bëjmë llom.”,- theksoi një banor.
“Ky fëmijë është i sëmurë dhe ka nerva shumë, nëse nuk del atëherë ky bën problem në shtëpi. Ky nuk e shikon orarin, thotë të dalim, por fatmirësisht në mbrëmje nuk del. Për momentin na kanë sjellë disa ndihma.”,- u shpreh një banor.
“Duhet të respektohen, ajo është për të mirën tonë, për të mirën e të gjithëve.”,- tha një banor.
Ndërkaq, natën e kaluar orën policore në Tetovë e kanë shkelur 3 persona, ndaj të cilëve është ngritur edhe parashtresë adekuate sipas nenit 206 të Kodit Penal.
Ndërsa në karantinë shtetërore janë 62 persona dhe në vetizolim 147 persona. Ndërkohë me urdhër të Inspektoratit Shtetëror për Sanitari dhe Shëndetësi janë 153 nga qyteti i Tetovës.
VISAR SADIKI
