Kryqi i Kuq në Kërçovë me aktivitete të ngjeshura preventive kundër virusit Kovid 19
Organizata e Kryqit të Kuq në Kërçovë ka realizuar një varg aktivitetesh preventive kundër virusit Kovid 19...

Sekretari i kësaj organizate Besnik Selimi thotë se krahas ndihmave dhe shërbimeve për personat e pamundur dhe me status social, tani është duke u zhvilluar edhe aksioni humanitar “Bashkë ku ka nevojë”. Ndërkaq sot kompania “Kebu” ndau pako humanitare për 50 familje skamnore të Kërçovës.
Në kuadër të masave preventive kundër virusit vdekjeprurës, Organizata e Kryqit të Kuq në Kërçovë, ka zhvilluar disa aktivitete humanitare me të cilat ndihmohen familjet në nevojë. Ekipet mobile të kësaj organizate vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e shpërndarjes së barnave dhe ushqimeve për personat e moshuar, për fëmijët me nevoja të veçanta dhe rastet e rrezikuara sociale, thotë Besnik Selimi, sekretar i Kryqit të Kuq në Kërçovë.
Para disa ditësh ka filluar edhe aksioni humanitar që zhvillohet me moton “Bashkë ku ka nevojë” të cilit mund ti bashkangjiten edhe ndërmarrjet dhe subjektet tjera afariste. Selimi njofton se për të zbutur pasojat e krizës është hapur edhe xhiro-llogaria e fondit të solidaritetit dhe linja telefonike për donim.
Një aktivitet të këtillë humanitar, për të ndihmuar familjet në nevojë, në një periudhë të krizës së thellë ekonomiko-sociale, ka zhvilluar sot, Kompania për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve “Kebu” që vepron në Zvicër dhe në Kërçovë. Kjo kompani, sot ka shpërndarë pako humanitare me produkte ushqimore dhe higjienike për 50 familje skamnore të komunës së Kërçovës.
SHABAN DALIPI
