Maqedoni

Gostivar, dy të infektuar me Kovid-19

16.04.2020 19:00

Momentalisht, në komunën e Gostivarit nuk ka raste të reja të regjistruara me virusin Korona...

Reparti i nfektologjisë është i zbrazur sepse të gjithë pacientët e infektuar me COVID-19 gjenden në shërim shtëpiak dhe tash për tash janë në gjendje të mirë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve deri sot mbetet pesë. Kanë rezultuar negativ edhe testet e gjashtë pjesëtarëve të personelit shëndetësor të spitalit të Gostivarit. Rast i ri është regjistruar në komunën fqinje, Vrapçisht, me çka në këtë komunë të Pollogut janë tre persona pozitivë me Kovid-19.

Në mbledhjen e sotme të Shtabit të krizës për komunat Gostivar, Vrapcisht dhe Mavrovë-Rostush, kryetari Arben Taravari bëri të ditur se në rajonin e Gostivarit janë testuar gjithsej 153 persona, prej të cilëve nëntë janë pozitivë.

Mes tyre ka tre punonjës shëndetësorë dhe një qytetar, tre persona nga komuna e Vrapçishtit, një banor i Strumicës i cili ka qenë në karantinë shtetërore në Mavrovë. Një teknik mjekësor i cili në testin e parë doli pozitiv, ndërsa në testimin e përsëritur tregoi rezultat negativ.

Po sot, Këshilli koordinues i shoqatave jo qeveritare bëri të ditur se aksioni i bashkëpunimit me bashkësinë e biznesit në Gostivar rezulton shumë i suksesshëm dhe se deri më tani janë grumbulluar ndihma ushqimore për mbi 700 familje sociale, mbi 400 pako higjienike si dhe 67 kompjuterë për nxënësit e shtresave sociale.

Përfaqësuesit e këtij Këshilli bënë të ditur se gjatë ditëve në vazhdim do të nis aksioni për grumbullimin e pajisjeve elektronike të përdorura për nxënësit që nuk kanë mundësi të ndjekin mësimin on-line shkaku i mungesës së tyre.

LULZIM HAZIRI