Kosovë, 36 raste të reja me Covid19, gjithsej 423
Në Kosovë janë shënuar 36 raste të reja që janë regjistruar brenda 24 orëve të fundit...

Në Kosovë janë shënuar 36 raste të reja që janë regjistruar brenda 24 orëve të fundit, gjë që ka arritur numri në 423 raste të konfirmuara të virusin COVID 19, 74 pacientë deri tani janë shëruar, ndërsa si pasojë i këtij virusi në Kosovë vdekjen kanë gjetur 10 persona.
Infektologu, Sali Ahmeti, thotë se aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtruar 62 pacientë, 49 në gjendje stabile, 10 në gjendje të rëndë e që janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.
“Aktualisht në klinikë kemi të shtruar 62 pacientë. Prej tyre 49 janë në gjendje stabile dhe drejt shërimit, 10 prej tyre janë në gjendje më të rënduar për shkak të prekjeve dhe janë në oksigjeno-terapi, tre në gjendje më të rëndë, dy në respiratorë, por tjetri pa intubim. Pacientët e tjerë vazhdojnë të kenë gjendjen stabile. Në orën 10:45 e kemi pasur një vdekje. Bëhet fjalë për një paciente që ka qenë në trajtim në kujdesin intensiv e moshës 73-vjeçare, e cila krahas infeksionit me COVID-19, ka pasur sëmundje shoqëruese.”,- deklaroi infektologu, Sali Ahmeti.
Nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kanë informuar se deri më tani janë të infektuar 17 punëtorë shëndetësorë, kurse 121 prej tyre janë në izolim.
GYLTENE SINANI
