OBSh: Në Evropë afër një milion të infektuar. Kluge: Lehtësimi i masave paraqet rrezik
Evropa ka arritur në gati një milion të prekur nga virusi Korona dhe duhet të marrë veprime tejet...

Evropa ka arritur në gati një milion të prekur nga virusi Korona dhe duhet të marrë veprime tejet të kujdesshme kur vendet konsiderojnë lehtësimin e masave, ka paralajmëruar drejtori regjional i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Numri i rasteve në rajon vazhdon të rritet. Në dhjetë ditët e fundit, numri i rasteve të të infektuarve në Evropë gati është dyfishuar, për t’iu afruar njëmilionëshit.”,- tha drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge.
Kjo nënkupton që gati 50 për qind e rasteve në botë janë në Evropë. Më shumë se 84 mijë njerëz në këtë kontinent kanë vdekur si pasojë e virusit. Teksa disa shtete kanë nisur të mendojnë nëse masat duhet të lehtësohen dhe nëse shkollat apo vendet e punës duhet të nisin të hapen, ai ka thënë se është kritike që të kuptohet kompleksiteti dhe pasiguria e këtij transicioni.
Kompanitë dhe politikanë botërorë janë shqetësuar për ndikimin ekonomik të mbylljes afatgjate dhe disa shtete në Evropë – si Gjermania, Danimarka apo Spanja, kanë filluar të mendojnë si të lehtësojnë masat, por Kluge thotë se duhet analizuar mirë një veprim i tillë.
“Çdo hap për reduktim të masave duhet të vijë, pasi të ketë siguri të plotë që lëvizjet janë të kontrolluara, shpërthimi nuk është i mundshëm dhe se sistemet shëndetësore kanë kapacitet të mjaftueshëm për të identifikuar, testuar e për të izoluar rastet me Covid-19. Nëse nuk mund të siguroheni që këto kritere janë në vendin e duhur para lehtësimit të masave. Ju rekomandoj të rimendoni.”,- deklaroi drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge.
Ndërkohë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka ofruar “kërkim-falje të thellë” që Italia u la e vetme në luftën me virusin korona.
“Është po ashtu e vërtetë se shumë prej nesh nuk kemi qenë afër Italisë për t’i zgjatur dorën krejt në fillim. Pra po, për këtë duhet që Evropa si tërësi të ofrojë kërkim-falje të thellë” tha ajo.
Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, në Itali kanë vdekur më shumë se 21,000 persona.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar një tjetër rekord të zi. Afërsisht 2600 të vdekur janë shënuar gjatë 24 orëve, që paraqet shifrën më të lartë brenda 24 orëve në të gjithë botën.
Bilanci tragjik erdhi pasi presidenti i SHBA, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kaluar pikun e pandemisë. Ai gjithashtu e vendosi Amerikën në një pozicion të fortë për të hapur ekonominë.
Administrata e Trump ka shikuar si mundësi hapjeje datën 1 maj, ndërsa presidenti ka këmbëngulur se shumë shtete mund t’i kthehen normalitetit më herët. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në total ka 640 mijë raste dhe më shumë se 30 mijë të vdekur nga Covid-19.
VLORA LATIFI TOPOJANI
