Maqedoni
Ortodoksët festojnë të Premten e Madhe
17.04.2020 11:37
Të gjithë besimtarët ortodoksë festojnë sot të Premten e Madhe...

Të gjithë besimtarët ortodoksë festojnë sot të Premten e Madhe. Kjo është dita e dytë të Treditëshit të Pashkëve, ku Kisha kremton Liturgjinë e mundimeve e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.
E Premtja e Madhe e Pashkëve është ditë lutjeje e heshtje, ditë e mundimeve dhe kryqëzimit të Jezu Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë. Të Premten e Madhe të Pashkëve liturgjia e Kishës na fton të meditojmë misterin e mundimeve, të dhimbjes dhe të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq. Me fjalë tjera, të Premten e Madhe Kisha me besimtarë të krishterë vihet para Krishtit të Kryqëzuar për të kundruar dashurinë e pakufishme shpëtimprurëse të Zotit për çdo njeri.
E Premtja e Madhe e Shenjtë e Pashkëve përkujton ngjarjet dramatike që shkojnë nga dënimi me vdekje e deri te kryqëzimi i Krishtit. E Premtja e Madhe është ditë pendese, agjërimi e lutjeje, ditë e pjesëmarrjes ssë besimtarit ortodoks në Mundimet e Krishtit. Nga qeveria disa here kanë rekomanduar se në këto ditë festash qytetarët duhet të kenë kujdes shumë të madh duke i anashkaluar të gjitha ritet dhe zakonet fetare për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit.
