Maqedoni

Rasti "Zhvatja", Zoran Milevski lirohet nga arresti shtëpiak

17.04.2020 14:52

I akuzuari i tretë në rastin"Zhvatja", Zoran Milevski....

I akuzuari i tretë në rastin"Zhvatja", Zoran Milevski është liruar nga paraburgimi shtëpiak. Ai  vendimin e gjykatës së Apelit për ankesën ndaj dënimit më burg prej tre viteve, do ta presë në liri. Prokurorija Ruskoska për TVM 2 tha se për vendimin në fjalë ka dhënë mendim pozitiv pasi Kiçec ka lënë garanci  në patundshmëri, por Ruskoska nuk e ka përcaktuar vlerën. 
 
"E pranuam garancinë në patundshmëri, me atë që në dënim  nuk do t’i llogaritet periudha të cilën do ta kalojë në liri, deri në shpalljen e vendimit të plotfuqishëm. Kjo ne na përshtatet më shumë"- thotë Ruskoska.
 
Milevski ka kërkuar të lirohet nga paraburgimi shtëpiak, pasi që para pak ditësh i ka vdekur i ati dhe atij I duhet të kujdeset për nënën e tij që jeton vetëm. Sipas akuzës së Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Milevski pranuar se ka kontraktuar takime mes të akuzuarit  të parë Bojan Jovanovski dhe Kamçevit, e si shpërblim të gjithë kanë marrë 1.5 milion euro.
 
Milevski është i dënuar në 3 vite burg për veprën penale pranim të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, vepër për të cilën është paraparë dënim prej 1 deri në 10 vite burg. Në mbajtjen e dënimit do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arresti shtëpiak. Deri më tani Milevski në paraburgim dhe arrest shtëpiak ka kaluar pothuajse 9 muaj, që nënkupton se atij i kanë mbetur edhe 2 vite e tre muaj burg. Aktgjykimi për të, u shpall pasi i njejti e pranoi fajin në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Në krahasim nga Milevski, ish prokurorja speciale Katica Janeva dhe Bojan Jovanovski po dëshmojnë për pafajsinë e tyre në procedure gjyqësore.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI