Jules Bianchi lufton me vdekjen
Jules Bianchi vazhdon betejën më të madhe të jetës së tij pas aksidentit në pistën e Suzukas. I ati i 25-vjeçarit, Philippe si gjithmonë është ai në sytë e mediave i jep kurajo djalit.......

“Jules do ta fitojë këtë betejë për jetën. Situata është kritike dhe sa herë më bie telefoni trembem për jetën e djalit tim. Ai nuk dorëzohet dhe doktorët na kanë thënë se kjo është një mrekulli pasi askush nuk i ka mbijetuar një aksidenti kaq të rëndë”, shprehet Philippe Bianchi. Në vijim ai shton se java e fundit ndryshoi gjithçka për keq në familjen e tij që jeton me ankthin e jetës së Jules që do të qëndrojë në qytezën pranë Suzukas edhe për disa kohë në pritje të ndezjes së dritës jeshile drejt një spitali më të specializuar në Tokyo, transmeton supersport.
Një pikë referimi mbetet edhe Michael Schumacher për të cilin Philippe shton: “U ndjeva shumë keq kur mësova për aksidentin e tij dhe si të gjithë pyesja veten përse nuk dilte asnjë informacion, por tashmë na ndodhi neve dhe kuptoj gjithçka. Të gjithë më pyesin për shëndetin e Jules por nuk mund të jap asnjë përgjigje sepse një ditë duket disi më mirë dhe një ditë tjetër përkeqësohet. Mjekët nuk flasin. Përplasja ishte e fortë por nuk dinë se si do të shkojë. Edhe Schumacherit iu deshën shumë muaj përpara se të dilte nga gjendja kome”.
Ditë të vështira për familjen e 25-vjeçarit dhe gjithë Formula 1. Suzuka ndryshoi fatin e pilotit të ri që vazhdon të rezistojë me heroizëm.
