Shqipëri: 539 të prekur, 2 rastet e para në kurbin
Vijon të rritet kurba e të prekurve nga Kovid 19 në Shqipëri...

21 raste të reja janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar totalin e të prekurve në 539 nga 5080 persona të testuar. Nga rastet e reja 11 i përkasin Shkodrës, dhe hartës i shtohet Kurbini me 2 raste.
“Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 21 raste pozitive me COVID19. Nga rastet e reja 11 i përkasin Shkodrës dhe kemi 4 raste në Tiranë, 4 raste në Krujë dhe hartës i shtohet Kurbini me 2 raste. Deri në këto momente janë testuar 5080 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 539 raste.Gjatë 24 orëve të fundit, 6 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 283. Siç shihet edhe në kurbën e epidemisë vijojmë me rritjen e numrit të rasteve të shëruara të cilat për disa ditë rresht kalojnë numrin e rasteve të infektuara.Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor”, u shpreh Albana Fico nga instituti i shëndetit publik.
Nga ana tjetër është ulur edhe numri i personave të shtruar në spitalet Kovid, ku ndodhen vetëm 43 pacientë.
Prej tyre, 7 janë në terapi intensive dhe 4 të intubuar. Tirana mban vendin e parë për nga numri I të infektuar me 245 raste, pasuar nga Shkodra e 94 raste dhe më pas Durrësi me 42 raste.
LULJETA NDOKA
