Kërçovë: Turma njerëzish në markete dhe dyqane
Në Kërçovë mbretëron një situatë stabile, subjektet ekonomike i respektojnë masat qeveritare...

Në Kërçovë mbretëron një situatë stabile, subjektet ekonomike i respektojnë masat qeveritare, ndërkohë që gjatë ditës së sotme ka pasur një lëvizje të shtuar të qytetarëve nëpër dyqanet e furnizimit ku është vërejtur mosrespektimi i distancës sociale.
Krahasuar me një ditë më parë, këtë të premte në rrugët e qytetit të Kërçovës vërehej një lëvizje e shtuar e qytetarëve. Banorët shfrytëzuan këtë ditë për tu furnizuar me artikujt e nevojshëm, në prag të kufizimit më të gjatë të lëvizjes, të përcaktuar deri në mëngjesin e ditës së martë.
Në marketet dhe dyqanet tjera të shitjes, janë vërejtur turma njerëzish, të cilët presin në radhë për të siguruar furnizimet e nevojshme për ditët në vijim, por në të shumtën e rasteve ata nuk i respektojnë rekomandimet për distancën sociale.
Ndryshe në Kërçovë vazhdon të mbretërojë një situatë stabile dhe pa shkelje të mëdha masave qeveritare.
Këto masa janë respektuar edhe nga personat e vetëizoluar dhe subjektet afariste të rajonit të Kërçovës, ndërkohë që ekipet mobile të Kryqit të Kuq, vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e shpërndarjes së barnave dhe ushqimeve për personat e moshuar, për fëmijët me nevoja të veçanta dhe rastet e rrezikuara sociale.
SHABAN DALIPI
