Covid-19, në 24 orët e fundit 53 të infektuar, zero viktima
53 persona të rinj të infektuar me Covid-9 në vendin tonë...

53 persona të rinj të infektuar me Covid-9 në vendin tonë. Numri më i madh i të infektuarve janë nga Shkupi, ndërsa me numër të ngjashëm të të infektuarve është edhe Velesi. Sipas statistikës së fundit, rritet numri i të shëruarve nga kjo sëmundje, në 24 orët e fundit janë regjistruar 25 persona të shëruar dhe numri i përgjithshëm ka shkuar në 164, ndërsa nuk ka asnjë viktimë.
“Sot janë regjistruar 25 pacientë të shëruar. Gjashtë janë lëshuar nga Klinika për Sëmundje Infektive, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa 19 të tjerë janë shëruar në kushte shtëpiake.”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Filipçe: Në fillim të majit presim më pak të infektuar
Institucionet kompetente presin që fillimi i majit të jetë me më pak të infektuar.
“Vlerësoj se edhe në periudhën që vjen do të kemi rezultate, në drejtim të asaj që transmisioni i sëmundjes të zvogëlohet ndjeshëm dhe diku në fillim të muajit maj kemi një periudhë ku numri i të infektuarve ndjeshëm të zvogëlohet dhe do të kemi mundësi që të lirojmë masat restriktive.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Spasovski: Në maj nis lehtësimi i masave
Masat për parandalim e përhapjes së virusit Korona janë sjellë me kohë dhe japin rezultat pozitiv, por kjo sëmundje do të sjellë ndryshime të tërësishme në jetën tonë, vlerëson kryeministri Spasovski. Ai njoftoi se po bëhet një plan se si të fillohet me lehtësimin e disa masave pas një majit.
“Diku pas festave të 1 majit në bazë të të gjitha analizave që do të bëhen si dhe në çfarë mënyre t’i lehtësojmë disa nga masat të cilat do të jenë në funksion të kthimit në normalitet. Kjo nuk do të thotë që plotësisht do të normalizohet jeta, sepse ajo nuk është e mundur, megjithatë do të zvogëlohen masa të caktuar restriktive, përmes vendimeve se si të sillen qytetarët gjatë asaj periudhe.”,- u shpreh kryeministri, Oliver Spasovski.
Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me Covid-19 ka shkuar në 1117. Pritet që deri në fund të muajit virusi të arrijë kulmin, kur numri i të infektuarve të jetë në rreth 2 mijë. (Sanije Duraku, TVM2)
