Fillon pagesa e subvencioneve të duhanit, pagesa do të tërhiqet në mënyrë të veçantë
Të gjithë bujqve do t’u paguhen subvencionet për duhanin nga rekolta e vitit 2019...

Të gjithë bujqve do t’u paguhen subvencionet për duhanin nga rekolta e vitit 2019. Por, duke pasur parasysh gjendjen e jashtëzakonshme, Ministria e Bujqësisë iu bëri thirrje kultivuesve të duhanit që të mos krijojnë radhë nëpër banka dhe t’iu përmbahen rregullave të vendosura nga autoritetet për distancë sociale dhe se pagesën nëpër banka do të mund ta tërheqin sipas rendit alfabetik të mbiemrit.
“Të gjithë duhan-prodhuesit do t’i marrin subvencionet në llogaritë e tyre, por për shkak se gjendemi në situatë të jashtëzakonshme në të cilën të gjithë duhet të kujdesemi për mbrojtjen e shëndetit, Ministria e Bujqësisë së bashku me ministrin e financave, mbrojtjes, MPB-së dhe Agjencinë Pagesore, kemi përgatitur një model të përshtatshëm për mënyrën e pagesës, me qëllim që të mos krijohen radhë para bankave për marrjen e subvencioneve. Në këtë periudhë kur pritet arritja e pikut të koronavirusit në vend, marrja e subvencioneve për ata që nuk kanë kartela pagesore do të bëhet gjatë katër ditëve, duke filluar nga 21 prilli deri më 24 prill. Për çdo ditë është përgatitur orar i pagesës sipas renditjes alfabetike të mbiemrave të duhan-prodhuesve, persona fizikë dhe juridikë.”,- deklaroi ministri i bujqësisë, Trajan Dimovski.
Angellovska: Për bujqit mendojmë edhe në kohë krize
Pagesa tashmë është kryer në xhirollogaritë e bujqve, ndërsa me këtë fakt ministrja e financave, Nina Anegellovska, theksoi se shteti edhe në gjendje të jashtëzakonshme nuk i harron bujqit.
“Sot kemi paguar 30 milion euro për rekoltën e vitit 2019. Kjo qartë tregon përcaktimin tonë që të mbështetet sektori real, të mbështeten mbi 19 mijë bujq, ndërsa me këtë edhe aktiviteti ekonomik në këto kushte. Afër 50 për qind e pranuesve të këtyre fondeve kanë kartela pagesore. Më e rëndësishme është ruajta e shëndetit dhe shmangia e radhëve. Apeloj qytetarët që t’i shfrytëzojnë kartelat pagesore në vend të pagesave me para në dorë. Të gjithë ekspoziturat e bankave do të punojnë deri në orën 17.”,- tha ministrja e financave, Nina Angellovska.
Personat të cilët nuk kanë kartela, të martën paratë në sportele do të mund t’i marrin atyre që mbiemrat u fillojnë me shkronjat A, B, V, G dhe D. Të mërkurën personat mbiemrat e të cilëve fillojnë me GJ, E, ZH, Z, S, I, J dhe K. Të enjten personat me mbiemrat që fillojnë me L, LL, M, N , NJ, O, P dhe R. Dhe grupi i fundit që do t’i tërheq paratë të premten janë personat mbiemrat e të cilëve fillojnë me shkronjat S,T,Q,U, F,H ,Ç, C, Xh dhe Sh. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
