Dita e dytë e karantinës 85-orëshe, rrugët e kryeqendrës të zbrazëta

18.04.2020 17:58

Karantina 85-orëshe i ka boshatisur rrugët e kryeqendrës

Karantina 85-orëshe i ka boshatisur rrugët e kryeqendrës, ku shihen në lëvizje një numër i vogël automjetesh dhe qytetarësh të cilët kanë siguruar leje për qarkullim. Policia kontrollon çdo lëvizje dhe ka paralajmëruar se do të dënohet çdo person që shkelë orën policore, e cila ka filluar të premten në orën 16 dhe do të zgjasë deri të martën në orën 5 të mëngjesit.

Me gjithë paralajmërimet e autoriteteve, gjatë 24 orëve të kaluara në nivel vendi gjithsej 77 persona nuk e kanë respektuar ndalesën për lëvizje. 46 prej tyre janë arrestuar, ndërsa të tjerëve u janë marrë të dhënat dhe do të vijojnë masa adekuate. Siç njofton MPB, po ashtu 219 personave u janë dhënë vendime për izolim, ndërsa 84 persona kanë nënshkruar deklarata për vetizolim.

Nga ana e nëpunësve policorë janë kryer kontrolle tek personat në izolim dhe vetizolim, me ç’rast nuk janë evidentuar persona, të cilët nuk e kanë respektuar masën për izolim dhe vetizolim.

Po ashtu në Shkup dhe qytetet tjera të vendit punojnë barnatoret kujdestare, ndërsa qytetarët mund të bëjnë porosi edhe në markete dhe restorante që kanë siguruar leje për punë dhe mund të bëjnë dërgesa me kërkesë të qytetarëve. (Gyltene Sinani, TVM2)