ASh: Masat e Qeverisë i shkelin vet funksionarët
Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar zyrtarët qeveritarë...

Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar zyrtarët qeveritarë të cilët sipas kësaj partie po i shkelin vet masat kundër përhapjes së virusit Korona.
“Derisa Qeveria gjatë tërë kohës apelonte të ngrihet vetëdija e popullit për të ruajtur shëndetin publik, është e pajustifikueshme sjellja e kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili me vetëdije të plotë ka rrezikuar shëndetin e të tjerëve duke mundësuar përhapjen e virusit. Si pasojë, ligji vlen njëjtë për të gjithë, prandaj në bazë të nenit 205 nga Kodi Penal, për veprën penale kundër shëndetit të njeriut duhet të kërkohet përgjegjësi penale nga kryetari, Maksim Dimitrievski”,- vlerësojnë nga ASh.
Sipas kësaj partie, sjellja e tillë pikërisht nga njerëz që kanë për obligim stabilizimin e gjendjes, veç se e prolongon situatën dhe zgjat gjendjen e jashtëzakonshme. Po ashtu Aleanca për Shqiptarët vlerëson se sipas të gjitha parametrave shëndetësore nga masat e marra deri më tani është dashur që ngadalë të fillojë zbutja e masave, por fatkeqësisht jemi dëshmitarë të rritjes konstante të numrit të të prekurve, gjë që pamundëson kthimin e gjendjes normale në vend.
Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi morale dhe institucionale nga të gjithë që rrezikojnë shëndetin publik pa dallim.
