Përgjegjësia për mirëmbajtjen e banesave u takon banorëve
Megjithëse këshillat banesorë bëjnë përpjekje për mirëmbajtjen e ndërtesave kolektive, prapë se prapë në shumë ndërtesa në Komunën e Çairit dhe Butelit që nga hyrja kryesore ndjehet aromë jo e këndshme dhe vërehet ambient i papastër......

Madje, këshillat banesorë kanë vështirësi edhe për grumbullimin e pagesës mujore nga pronarët e banesave, i cili çmim sillet prej 150 denarë e deri në 400 denarë. Kjo e bën edhe më të vështirë mirëmbajtjen e ndërtesave sidomos kur është në pyetje renovimi ose fasadimi i ndërtesës, thotë kryetari i Këshillit Banesor, Sakip Imeri.
“Nuk paguajnë këta në banesa që jetojnë, paguaj shumë pak, e kemi firmën, njëherë thoshin që pa qare me pas firmë, nuk t’i japin paret në dorë, e hapa firmën, por më keq me firmë se pa firmë, pastruesi hyn aty, ashensori hyn, faturat pa paguar janë prej muajit 6 e këndej, krejt janë pa pagu. Komuna kurrgjë s’na ndihmon, thonë mblidhni mjete prej banorëve, por nuk janë pak 84 banorë, 84 banorë mos me mund me mbajt një ndërtesë, kjo është katastrofë”- deklaroi kryetari i Këshillit Banesor-Butel, Sakip Imeri.
Këto probleme i konfirmojnë edhe qytetarët e Çairit, të cilët për papastërtinë në objekte kolektive fajësojnë vet banorët.
“Vet banorët duhet të jenë të kujdesshëm, vet popullata. Mund të ndërtosh sa të duash, mund të punosh sa të duash, por ne as nuk kemi kushte, as nuk jemi aq shtet i pasur që çdo njeriut t’ia lëshojmë nga një policë pas shpine, do të thotë vetëdija duhet të ndikon”- u shpreh një qytetarë.
“Paguajmë pastruesen 150 denarë në muaj. Ne sa punojmë, punojmë, sa mbajmë, mbajmë, ashtu mundohemi t’i mbajmë ata që banojnë aty, tjetër ndihmë s’kemi”- tha një qytetarë.
Njëherit edhe këshillat banesorë edhe qytetarët kërkojnë ndihmën e Pushtetit Lokal sidomos për rinovimin ose fasadimin e banesave të vjetra.
Por, nga Sektori i Urbanizmit në Komunën e Çairit thonë se mirëmbajtja e ndërtesave është obligim i vet banorëve. Megjithëse komuna shpreh gatishmëri të ndihmojë, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Ekonomisë, nëse merren iniciativa për izolimin dhe rifasadimin e ndërtesës në kuadër të projektit për efikasitet energjetik.
“Edhe rifasadimi edhe ndërrimi i dritareve krejt kjo është obligim i Këshillit Banesor, por ne si komunë jemi të hapur për bashkëpunim dhe duam t’u ndihmojmë qytetarëve tanë. Ne kemi filluar me një objekt banesor, që është shprehur gatishmëri për të bërë rifasadimin e ndërtesës, por rifasadimi nuk mund të bëhet pa aplikuar efikasitetin energjetik, domethënë nuk mund të bëhet vetëm lyerja e ndërtesës, por realisht këto projekte me të cilat merremi ne që shkojnë nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë, një pjesë e harxhimeve mbulohet nga ne, ndërsa pjesa tjetër e harxhimeve mbetet te qytetarët”- theksoi Rami Qerimi nga Komuna e Çairit.
Qerimi, thotë se Komuna e Çairit është e gatshme që në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë t’u del në ndihmë të gjithë këshillave banesorë nëse aplikojnë për projekte të këtilla.
Në objektet kolektive, pastërtia dhe mirëmbajtja janë obligime kolektive dhe përveç që kjo është obligim ligjor, të gjithë e dimë moton “pastërtia ruan shëndetin”, ndërsa aroma jo e këndshme, e cila ndjehet që në hyrje të pallateve, gjithsesi është e dëmshme për shëndetin. (Gyltene Sinani, TVM2)
