Ministria e Shëndetësisë: Tre të vdekur, 18 të infektuar dhe 21 të shëruar. Qeveria: Po përgatiten masat për normalizim
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për tre të vdekur dhe 18 të infektuar nga virusi Korona...

Dy nga të infektuarit janë nga Shkupi, 9 nga Kumanova, dy nga Shtipi, dy nga Tetova, një nga Velesi, një nga Gostivari dhe një nga Pehçeva.
Ndërsa të vdekurit janë një 63 vjeçare nga Kumanova, një 71 vjeçar nga Prilepi dhe një 46 vjeçare nga Struga.
Me tre të vdekurit e fundit numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 54, numri i të infektuarve 1225, ndërsa numri i personave të shëruar ka arritur në 200, pasi në 24 orët e fundit janë regjistruar 21 të shëruar. Deri më tani janë testuar 12,133 persona.
Ndërkohë, nga Qeveria kanë njoftuar se në kuadër të masave për mbrojtje nga infektimi, ka vendosur që nga 21 prilli, në Prilep, Kumanovë dhe Tetovë qytetarët gjatë lëvizjes në vende publike do të detyrohen të mbajnë maskë, shall, apo gjëra tjera që mbulojnë gojën dhe hundën.
Po ashtu ndalohet transporti i organizuar i udhëtarëve në komunat e Tetovës dhe Prilepit. Qëllimi është të krijohen kushte për më shumë lëvizje, duke garantuar mbrojtje. Prandaj, fillimisht do të ketë vetëm paralajmërime, ndërsa më pas do të vijojnë edhe dënime.
Policia do të duhet të dokumentojë përmes fotografisë se personi në fjalë nuk ka respektuar masat e duhura. Në lidhje me lehtësimin e kufizimeve në territorin e të gjithë vendit, Qeveria njofton se do të realizohet në disa faza, duke shtuar se po bëhen plane për të zvogëluar kohëzgjatjen e orës policore.
“Janë duke u zhvilluar përgatitje në mënyrë që sa më shpejtë të lehtësohen kufizimet. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Në mënyrë që të zbusim masat, së pari duhet që të gjithë së bashku të sigurojmë mbrojtje, maskë, shall, dy metra largësi, mos të mblidhemi. Qëllimi nuk është që të ndëshkohen qytetarët, por të sigurohet respektimi sa më i gjerë i masave, në çdo mënyrë.”,- informojnë nga Qeveria.
Edhe kryeministri, Oliver Spasovski, në facebook ka paralajmëruar se pas festave të një majit do të miratohet masat lehtësuese për kthimin në normalitet.
“Po përgatisim një plan serioz që pas festave të një majit të fillojë procesi i kthimit të gjendjes normale. Kjo nuk do të jetë shpejt, as përnjëherë.”,- theksoi Spasovski.
SANIJE DURAKU
