Maqedoni

Kumanovë, një i vdekur, 9 të infektuar, por edhe 3 të shëruar nga Covid-19

20.04.2020 16:55

Gjatë 24 orëve të fundit, në rajonin e Kumanovës është shënuar edhe një viktimë nga COVID-19...

Bëhet fjalë për një grua 63-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në Spitalin “8 shtatori“ në Shkup. Me këtë numri i viktimave në Kumanovë ka arritur në total 13.

Ndërkohë, janë regjistruar edhe 9 raste të reja, duke e çuar në total numrin e të infektuarve në 338. Këtë herë arrin edhe një lajm i mirë. Në Kumanovë tashmë nga COVID-19 janë shëruar 3 persona.

Ndonëse ende gjendemi në periudhën e lëvizjes së kufizuar, ekipet e NP “Pastrim dhe gjelbërim” kanë vazhduar me dezinfektimin e rrugëve dhe rrugicave në Kumanovë dhe në lagjet periferike, por edhe në vendbanimet në rajonin e komunës së Likovës.

Ndërkohë që nuk kanë munguar as aktivitetet humanitare. Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në bashkëpunim Kryqin e Kuq komunal, por edhe organizata e shoqata të ndryshme humanitare kanë ndarë ndihma për familjet e rrezikuara sociale.

Ndërkaq për shkak motit të mirë dhe qëndrimit treditorë në shtëpi për shkak të lëvizjes së kufizuar për tre ditë resht, ka ardhur edhe te shpenzimi më i madh i ujit të pijshëm nga “Ujësjellësi” i Kumanovës.

Prandaj Shtabi për Mbrojtje dhe Shpëtim u ka apeluar qytetarëve që ta përdorin ujin në mënyrë racionale dhe të mos e përdorin për larjen e oborreve si dhe ujitjen e kopshteve.

FATLUM AQIFI