Strugë, një i vdekur nga Covid-19, nuk ka të infektuar
Një person ka ndërruar jetë nga Covid-19, me ç’rast numri i viktimave në Strugë ka arritur në 11...

Bëhet fjalë për një grua 46-vjeçare nga fshati Llabunisht, e cila më 29 mars është dërguar në Klinikën Infektive në Shkup, ku disa ditë më vonë është vendosur në respirator.
Ndërkohë, në Strugë, në 48 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë rast i ri me të infektuar nga virusi Korona, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve është 55, përfshirë edhe viktimat.
Qytetarët të cilët kanë pasur kontakte me të prekurit janë në izolim shtëpiak dhe një pjesë e qytetarëve të tjerë kanë vazhduar vetizolimin.
Edhe personat të cilët kanë ardhur nga Italia, vazhdojnë izolimin në karantinën shtetërore dhe kontrollohen rregullisht nga policia.
Ora policore në Strugë respektohet, në qytet janë vërejtur vetëm qytetarët të cilët kanë pasur leje për lëvizje të lirë si dhe operatorët ekonomikë që kanë kryer nevojat e qytetarëve.
Ndërkohë ka vazhduar edhe dezinfektimi dhe larja e rrugëve dhe institucioneve lokale në disa fshatra.
Gjithashtu ka vazhduar edhe aksioni për shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë të organizuar nga komuna e Strugës dhe Kryqi i Kuq.
Nga autoritetet lokale bëhet thirrje drejt qytetarëve që të respektojnë masat e qeverisë, me qëllim që të mos kemi përhapje të virusit.
ILMIJE ZHAKU
