Hapet në Shkup panairi për punësim
Qytetarët që kërkojnë punë, sot u njoftuan drejt për së drejti me punëdhënësit të cilët ofrojnë punë.......

Kjo u bë e mundur në Panairin për Punësim, i cili organizohet nga Qeveria dhe Agjencia për Punësim. Mbi 80 kompani vendore nga fusha të ndryshme, morën pjesë në këtë panair dhe i njoftuan qytetarët rreth kuadrove deficitare.
“Ka karakterin që t’i afrojmë kompanitë private me personat e papunë dhe të vendosim linjë direkte të bashkëpunimit ndërmjet personave të cilët kërkojnë punë dhe punëdhënësit të kërkojnë punëtorë për profesione të ndryshme”- deklaroi zëvendësdrejtori i Agjencisë për Punësim, Abdyl Samet Shabani.
Një pjesë e madhe e të anketuarve vlerësojnë se ky panair është mundësi e mirë për sigurimin e një vendi të punës, ndërsa për një pjesë tjetër është vetëm humbje kohe nëse nuk kanë arsim adekuat.
“Ne mendojmë se mirë, por të shohim. Unë e kam kryer shkollën e mesme dhe kërkoj çdolloj pune që do të më ofrohet”- u shpreh një qytetarë.
”Jo, punëtor i thjesht, me 8 vjeçaren çka mund të bëjmë me këtë thirrjen këtu. Ne veç kemi ecur sot këtu se asnjë nuk ofron punë pa shkollë”- tha një qytetarë.
“Çfarëdo lloj pune, veç të punësohem, të më përshtatet. Jam me shkollë të mesme”- theksoi një qytetarë.
“Është mirë, por i kam bërë më 50 vjet dhe shteti tani do të më punësojë? Ku ka qenë më herët?”- tha një qytetare.
Në këtë panair morën pjesë edhe investitorët e huaj dhe universitetet shtetërore dhe private në vend.
Panairi për Punësim organizohet për herë të parë në Maqedoni, qëllimi kryesor është që të njoftohen të gjitha palët e involvuara në procesin e punësimit të qytetarëve, si dhe të prezantohen nevojat e punëdhënësit para personave të cilët kërkojnë punë.
Përfaqësuesit e biznesit privat veç më kanë përgatitur strategjinë e tyre të punësimit.
"Kemi deficit të evidentuar kadrovik nga kompania jonë. Ne kemi bërë një projekt ku do të munden gjegjësisht rinia, të cilët kanë kualifikimin e duhur, të aplikojnë për punë dhe të jenë pjesë e kompanisë”- deklaroi Nehar Aliu nga kompania “Dauti Komerc”.
“Kjo paraqet një mundësi shumë të mirë që personat të cilët janë të interesuar për t’u punësuar dhe për të punuar në sektorin privat, të mund drejt për së drejti të kontaktojnë përfaqësuesit e kompanive për angazhimin e tyre të mëtejshëm”- tha Arben Halili nga OEMVP.
Deri në fund të këtij viti, panaire të këtij lloji do të prezantohen edhe në Tetovë, Negotinë, Shtip, Ohër, Strumicë, Kumanovë dhe Manastir. (Rexhep Qamili, TVM2)
