Përballja me Covid-19, disa vende evropiane fillojnë normalizimin
Disa vende evropiane, si Gjermania, Norvegjia, Polonia, apo Danimarka kanë filluar normalizimin e jetës...

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se Gjermania duhet të jetë e kujdesshme dhe e disiplinuar në luftën kundër virusit Korona, për të shmangur rikthimin e sëmundjes në javët e ardhshme.
“Gjermania do ta shohë brenda dy javësh nëse relaksimi i pjesshëm i kufizimeve në jetën publike, e ngre lart nivelin e infeksionit. Ne duhet të mbetemi vigjilentë dhe të disiplinuar.”,- theksoi kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Autoritetet gjermane kanë lejuar rihapjen e dyqaneve të vogla, librarive dhe dyqaneve të biçikletave, me kusht që i zbatojnë masat e distancimit fizik.
Ndërkohë, njoftohet se Gjermania ka regjistruar 1,775 raste të reja me virusin Korona dhe 110 viktima. Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në mbi 145,700, ndërsa i viktimave në 4,404.
Nga ana tjetër, kryeministri francez, Eduard Philippe, insiston se kriza nuk ka përfunduar në vendin e tij ndërsa bilanci i viktimave i është afruar pragut 20 mijë.
Nga ana tjetër drejtori i Organizatës botërore të shëndetësisë, Tedros Adanom Gebrejesus, i paralajmëroi vendet që planifikojnë t’i zbusin masat, të jenë të gatshme të reagojnë shpejtë në rast të epidemisë së re të Kovid-19.
Në takimin virtual me ministrat e shëndetësisë të vendeve-anëtare të G20, Tedros tha se është kyçe që masat për lehtësim të këtyre kufizimeve të zbatohen në faza.
Heqja e masave restriktive nuk do të thotë fund i epidemisë në asnjë vend, por vetëm fillim i fazës së ardhshme, vlerëson drejtori i OBSH-së, i cili gjithashtu, shprehi shqetësim për shkak të përforcimit të pandemisë së virusit në vendet e varfra, të cilave u mungojnë resurse për t’u përballur me numër të madh të rasteve pozitive.
Presidenti turk, Recep Taip Erdoğan, përuroi spitalin gjigant të qytetit në Stamboll, ndërsa vendi intensifikon luftën kundër shpërthimit të COVID-19.
Spitali ka 2 mijë e 686 shtretër, të cilët kanë pajisje të kujdesit intensiv, dhe të gjitha mund të përdoren për kujdes intensiv kur është e nevojshme.
Në Turqi deri më tani janë regjistruar 86 mijë e 306 raste me virusin korona ndërsa 2 mij e 17 kanë humbur jetën.
Pandemia ka marrë afër 165 mijë jetë, me numrin e përgjithshëm të infeksioneve që tejkalojnë 2.39 milionë, ndërsa më shumë se 611 mijë janë shëruar.
SEDAT SELIMI
