Botë

Kurti në takim me Osmanin dhe Krasniqin për Covid-19

20.04.2020 18:50

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte ftuar në takim liderët e partive politike...

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte ftuar në takim liderët e partive politike për të shqyrtuar situatën rreth virusit Korona, por ftesës iu përgjigj vetëm kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, dhe PDK, e cila në takim  kishte dërguar nënkryetarin, Memli Krasniqin.

Pas takimit, kryeministri Kurti tha se qeveria po punon me të gjitha kapacitetet në luftimin e shpërndarjes së virusit Korona, ndërsa vlerësoi se donacioni i 1000 testeve për virusin Korona nga ana e Serbisë “është gjest që nuk duhet të politizohet”.

“Le të mos i politizojmë gjestet e tilla, duam raporte të mira fqinjësore. Duam sa më shumë bashkëpunim rajonal në luftimin e përbashkët të virusit Korona, i cili nuk na dallon për nga tiparet tona si individë apo komunitete.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Edh kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se kur bëhet fjalë për luftimin e COVID-19, ndarjet politike duhet të lihen anash, ndërsa 1000 testet nga Serbia nuk duhet politizuar.

“Unë besoj që jo vetëm ne në Kosovë, por e gjithë bota e ka të qartë se cilat janë krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë. Ato kanë ndodhur para syve të botës dhe në të njëjtën kohë janë dëshmuar në gjykata ndërkombëtare. Kështu që, Serbia tani në këtë kohë të pandemisë edhe mund të ketë dërguar ndihma, por kjo assesi nuk e shlyen të kaluarën e afërt, të cilën e kemi përjetuar secili prej nesh.",- deklaroi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Por, nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti është dorëzuar para Serbisë duke pranuar teste nga Serbia dhe duke humbur kontrollin në veriun e vendit.

“Ne jemi kundër vakuumit politik. Ne i kemi bërë ftesë publike Albin Kurtit që ta krijojë qeverinë e re, sepse mandatin e ka pasur nga presidenti. Por, nëse ky nuk është në gjendje që ta bëjë një gjë të tillë dhe duket që nuk është, sepse i ka më shumë se 84 deputetë që ia kanë marrë besimin në Kuvendin e Kosovës, ia kanë hequr legjitimitetin, atëherë në përputhje me Kushtetutën mund të ketë një solucion tjetër.”,- u shpreh Memli Krasniqi nga PDK.

Në Kosovë deri më tani nga virusi Korona janë infektuar 561 persona, 101 prej të cilëve janë shëruar, ndërkohë që 12 persona kanë ndërruar jetë.

REJHANE BUSHI METAJ