Maqedoni
Kërçovë: Lëvizje e shtuar pas karantinës 85-së orëshe
21.04.2020 14:04
Pas karantinës 85 orëshe sot në Kërçovë është rritur dukshëm lëvizja e qytetarëve...

Pas karantinës 85 orëshe sot në Kërçovë është rritur dukshëm lëvizja e qytetarëve. Në banka, barnatore dhe markete vërehen kolona të gjata njerëzish të cilët në të shumtën e rasteve nuk e respektojnë distancën sociale.
Në rajonin e Kërçovës është respektuar masa e karantinës 85 orëshe. Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër, në një komunikatë për mediat njofton se gjatë ditëve të uikendit të zgjatur, në rajonin e Kërçovës, policia ka ndaluar 6 persona të cilët nuk e kanë respektuar kufizimin e lëvizjes gjatë orës policore, dhe ndaj tyre do të ngriten padi penale.
Organet kompetente kanë zhvilluar kontrollet e zakonshme për 28 personat me masën e vetë-izolimit, të cilët sipas policisë i kanë respektuar rekomandimet qeveritare të preventivës ndaj virusit Kovid 19.
Por pas karantinës 85 orëshe, sot në rrugët e qytetit të Kërçovës vërehet një frekuentim i shtuar në qarkullimin rrugor dhe një dyndje e qytetarëve përpara bankave, barnatoreve dhe marketeve ku në të shumtën e rasteve nuk respektohet distanca fizike, gjatë pritjeve për të marrë shërbimet përkatëse.
Si duket uikendi i zgjatur ka ndikuar që qytetarët të dalin në numër më të madh për tu furnizuar me barna, ilaçe dhe artikujt e nevojshëm ushqimor.
SHABAN DALIPI
