Shqipëri, 25 raste të reja, asnjë i prekur në Tiranë

21.04.2020 16:41

Del jashtë kontrollit situata në fasonerinë e Krujës....

Del jashtë kontrollit situata në fasonerinë e Krujës. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 17 raste të reja me “Covid 19”, 5 raste më shumë se një ditë më parë.

Të infektuar kanë rezultuar jo vetëm punonjës, por edhe persona kontakti.

Një rritje e numrit të rasteve është konstatuar edhe në Kurbin. Ndërkaq, për herë të parë në kryeqytet nuk është konstatuar asnjë rast me koronavirus.

“Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 25 raste pozitive me COVID19.

Vijon hetimi epidemiolog jik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar pozitivë 17 persona dhe në Kurbin ku kemi 8 raste të reja. Sot është dita e parë që nga fillimi i epidemisë që Tirana nuk ka asnjë rast të ri. Deri në këto momente janë testuar 6017 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 609 raste” – tha Drejtoresha e ISHP, Albana Fico.

Gjatë 24 orëve të fundit 18 pacientë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke sjellë edhe ulje të numrit të pacientëve të shtuar në spitalet Covid.

Prej ditësh numri i personave që kanë humbur betejën me virusin vijon të mbetet 26, ndërsa aktualisht në vend janë 238 të infektuar aktivë. (Luljeta Ndoka, TVM2)