QMBN: 63% e qytetarëve mendojnë se nëpunësit shtetëror janë të korruptuar
Korrupsioni në Maqedoni është i ranguar në vendin e 5-të, pas papunësisë, varfërisë, të ardhurave të ulëta dhe çmimeve të larta........

Sipas perceptimit, më të korruptuar janë punonjësit e doganave dhe gjykatësit. Ndërsa kur flitet për përfshirje të drejtpërdrejtë në korrupsion, vendin e parë e zënë mjekët. Këto të dhëna vijnë nga raporti për vlerësimin e korrupsionit në Maqedoni të realizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
“Një pjesë e madhe e qytetarëve, ose 63% e qytetarëve mendojnë se nëpunësit shtetëror janë të korruptuar. Në bazë të percepcionit, doganier dhe gjyqtar janë profesionet e para që perceptohen më të korruptuara, por nuk janë këto kur bëhet fjalë për korrupsion real. Këtu para së gjithash numërohen mjekët, nëpunësit shtetëror dhe nëpunësit komunal”- deklaroi Emina Nuredinoska nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Ambasadori i SHBA-së, Pol Volers, paralajmëron për seriozitetin e çështjes dhe kërkon përgjegjësinë e të gjithë zyrtarëve.
“Qytetarët më të arsimua në vend, mjekët, shkencëtarët shkojnë në vendet ku do të shpërblehen, në vend që talenti i tyre të tregohet këtu, siç është rasti edhe këtu në Maqedoni. Ekziston nepotizmi, marrëveshje biznesore, drejtësi gjyqësore dhe ndikim politik të cilët e bllokojnë përparimin e Maqedonisë, i cili ka nisur që nga viti 1991”- tha ambasadori i SHBA-së, Pol Volers.
Përfaqësuesi i MPB-së, Ivo Kotevski, shprehet se korrupsioni mbetet prezent në shumë sfera dhe paraqet problem serioz për vendin.
“Që nga viti 2007 e deri në 2013, ministria ka zbuluar, dokumentuar dhe proceduar 499 raste të krimit financiar dhe veprat penale të korrupsionit, ose mesatarisht 6 raste në muaj. Dëmi i supozuar në këto raste është vlerësuar në mbi 311 milion euro. Në të gjitha këto raste, të dyshuar janë 1.470 persona, duke filluar nga nëpunësit më të thjeshtë në pikat pagesore ose doganat, udhëheqës sektori e drejtorë, kryetarë komunash, e deri te ministra dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë këtu edhe ishkryeministra”- tha Ivo Kotevski nga MPB.
Për drejtorin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Gjorgji Sllamkov, ka nevojë për përforcim të kapaciteteve në fushat e konfliktit të interesit dhe përpunimin e Regjistrit për Funksionarë, me çka do të mundësohet ndërlidhja me bazat e të dhënave të institucioneve relevante. (Sanije Kasami, TVM2)
