1 viktimë nga “Covid 19”, 24 të shëruar, 7 të prekur
Një paciente 70 vjeçare nga Llabunishta ka ndërruar jetë nga "Covid 19"....

Një paciente 70 vjeçare nga Llabunishta ka ndërruar jetë nga "Covid 19" dhe rënie lineare të numrit të pacientëve të prekur, është fotografia e 24 orëve të fundit me virusin korona në vend.
Ndërkohë 24 pacientë janë shëruar në kushte shtëpiake në tetë qytete Dibër, Strumicë, Kumanovë, Shtip, Prilep, Shkup, Koçani dhe Tetovë.
Për dallim nga të shëruarit, vetëm 7 persona tanimë kanë nisur betejën ndaj virusit pandemik: Kumanovë 2 të prekur , Tetovë 3 dhe Koçani 2. Si pasojë e rëies të të prekurve, komisioni i sëmundjeve infektive ka propozuar qeverisë lehtësim të masave kufizuese të qarkullimit.
“Propozohet që ora policore gjatë ditëve të punës të nis nga ora 19 që të mund qytetarët të kryejnë obligimet e tyre. Qarkullimi i të moshuarve të mudnësohet nga ora 8 e mëngjesit deri në mesditë. Të rinjtë nën moshën 18 vjeçe të mund të lëvizin nga ora 13 deri në ora 16. Gjatë fundjavave, ora policore të nis të shtunën nga ora 13 dhe të përfundojë të hënën në ora 5 të mëngjesit. Mbeten ndalesa për grupim të qytetarëve dhe distanca fizike si dhe shfrytëzimi i hapësirave publike dhe parqeve.” – tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi korona në vend ka arritur 1231. Në klinikën infektive janë pranuar 4 raste të reja ku gjithsej të hospitalizuar janë 60. Prej tyre 4 pacientë janë të vendosur në aparat të frymëmarjes.
Në spitalin ‘8 Shtatori’ janë pranuar 11 paceintë, 7 janë me pasqyrë të rëndë shëndetësore.
“Covid 19”, rezultatet e testimeve gati brenda ditës
Ministri Venko Filipçe njofton se prej sot me vënien në funksion të laboratorit në akademinë e shkencave, rezultatet nga testimet do të dihen brenda dite.
“Gjitha analizat nga mostrat të cilat do të mbërrijnë deri në ora 14, nga spitale të ndryshme të vendit, do të jenë gati deri në ora 21. Duke pasur parasysh kapacitetin dhe përqindjen e pacientëve të cilët mbërrijnë për analiza, koha e pritjes së rezultateve s’do jetë më e gjatë se një ditë.” – u shpreh Venko Filipçe.
Në 24 orët e fundit janë kryer 207 teste, ndërkaq në total mbi 12 mijë testime. (Meral Ismaili, TVM2)
