Nxënësit dhe arsimtarët nuk e identifikojnë diskriminimin
Diskriminimin ende nuk e identifikojnë as nxënësit dhe as arsimtarët në shkolla, tregon monitoringu i zbatimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në Maqedoni gjatë vitit 2013, të cilën e realizoi koalicioni i organizatave të të rinjve ”SEGA”, me mbështetjen e fondacionit të fëmijëve ”Pestalloci” dhe zyrës së UNICEF-it në Maqedoni........

Drejtori i Organizatës “SEGA “, Zoran Ilievski, në promovimin e sotëm të konkluzioneve nga monitorimi theksoi se rekomandimi kryesor është që institucionet e sistemit arsimor të ndërmarrin masa për edukimin e kuadrit arsimor, gjegjësisht të drejtat e diskriminimit të fëmijëve.
“Ajo që është konstatuar në këtë hulumtim është se ende të drejtat e arsimimit të fëmijëve janë në një nivel të pakënaqshëm, pra zëri dhe nevojat e tyre nuk janë marrë parasysh dhe nuk ekzistojnë mekanizma me të cilat fëmijët do të mund t’i shprehin nevojat e tyre dhe konform kërkesave të tyre të gjendet një zgjidhje në procesin e arsimimit. Shteti duhet të ndërmarrë masa që Komisioni Nacional për të Drejtat e Fëmijëve të funksionojë në përputhje me nevojat dhe kërkesat e fëmijëve”- deklaroi drejtori ekzekutiv i Organizatës për të Rinj “SEGA”, Zoran Ilievski.
Ndërkohë, zëvendësavokatja e popullit, e obliguar për të drejtat e fëmijëve, nënvizoi se në kuadër të zyrës së Avokatit Popullor ekziston repart i veçantë për mbrojtjen e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara, repart ku fëmijët mund të shkojnë dhe t’i tregojnë qëndrimet e tyre ose mendimet sa i përket respektimit ose mosrespektimit të të drejtave të njeriut.
“Për dallim nga vitet e kaluara, vjet janë vërejtur disa përparime në këtë pjesë, për shkak se edhe fëmijët filluan ta njohin Avokatin Popullor, si organ i cili i mbron të drejtat e tyre dhe të cilit mund t’i besojnë dhe të intervenojë në emër të tyre”- tha zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa.
Avokati i popullit thotë se shkelje e të drejtave të fëmijëve është vërejtur gjithandej, duke filluar nga të drejtat familjare, arsim në pjesën e mbrojtjes shëndetësore, ose të personave me aftësi të kufizuara. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
