Botë

Virusi Korona, OBSh: Po zhvillohen 20 lloje të vaksinës për Kovid-19

22.04.2020 15:06

Vala e dytë e virusit Korona në ShBA mund të jetë edhe më shkatërruese...

Vala e dytë e virusit Korona në ShBA mund të jetë edhe më shkatërruese, sepse mund të ndodhë në të njëjtën periudhë me fillimin e sezonit të gripit sezonal, paralajmërojnë zyrtarët shëndetësorë amerikanë. Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në një intervistë për gazetën “Uashington Post” tha se qytetarët duhet t’i shfrytëzojnë muajt e ardhshëm për t’u vaksinuar kundër gripit. "Ekziston mundësia që sulmi i virusit, dimrin e ardhshëm, të jetë edhe më i rëndë se ai që sapo kaluam. Do ta kemi në të njëjtën kohë edhe epideminë e gripit, edhe epideminë e virusit Korona". 
 
Ndërkohë, në Britani është paralajmëruar se testimi i vaksinës kundër virusit Covid-19 te njerëzit do të fillojë të enjten. Ministri britanik i shëndetësisë, Matt Hancock, ka deklaruar se vaksina u zhvillua nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit dhe se ajo ka një shans 80 për qind për sukses. Një ekip nga Instituti Jenner në Oksford filloi prodhimin e vaksinës para se të përfundonte testimi për të siguruar një dozë prej 1 milion vaksina deri në shtator. Hancock tha se zhvillimi i vaksinës ishte “shkencë e pasigurt”, por që dy ekipe kishin bërë “përparim të shpejtë” dhe se skuadrat do të mbështeteshin plotësisht nga qeveria. Vaksina, është bërë nga një virus i shimpanzës i padëmshëm që është i gjeneruar gjenetikisht për të kryer një pjesë të virusit të koronës. Profesori, Sarah Gilbert, i Universitetit të Oksfordit pret që deri në 500 njerëz të jenë pjesë e testit nga mesi i majit. Edhe Instituti Federal i vaksinave në Gjermani, ka bërë të ditur se ka miratuar testimin klinik të vaksinës kundër COVID-19. Kjo do të thotë se 200 persona të shëndetshëm të moshës nga 18 deri në 55 vjet, do të marrin disa lloje të vaksinave derisa hulumtuesit të vërejnë efikasitetin dhe rritjen e imunitetit kundër virusit. 
 
Ndërkohë, në Zvicër imunizimi masiv me një vaksinë kundër virusit korona mund të fillojë në tetor, paralajmëron  imunologu Martin Bachmann. Organi rregullator kombëtar ”Swissmedic” konfirmoi se ishte në bisedime me shkencëtarë, përfshirë Bachmann, i cili punon në Spitalin Universitar të Bernës.  Bachmann u tha gazetarëve se ai tashmë ka kryer teste të suksesshme duke përdorur minj. Bachmann përdori sekuencën e gjeneve të virusit Sars-CoV-2 që Kina publikoi në janar për të izoluar proteinat që lejojnë që virusi të fiksohet në qelizat njerëzore. Partnerët kinezë dhe letonezë janë të përfshirë në projektin e vaksinës. 
 
Ndërkohë, OBSH ka njoftuar se aktualisht janë duke u zhvilluar 20 lloje të ndryshme të vaksinave kundër COVID-19. Por, deri në zbulimin e vaksinës, Kovid-19 vazhdon të marrë jetë njerëzish. Numri i personave të vdekur në mbarë botën ka shkuar në mbi 177 mijë njerëz, derisa mbi 2.5 milionë persona janë të infektuar, derisa 696 mijë prej tyre tashmë janë shëruar. Më së shumti të prekur nga virusi ka në SHBA, me 819 mijë e 175 të infektuar dhe 45 mijë e 343 të vdekur, Spanja me 204 mijë e 178 të infektuar dhe mbi 21 mijë të vdekur dhe Italia me 183 mijë e 957 të infektuar dhe mbi 24 mijë të vdekur. 
 
SEDAT SELIMI