Qeveria me vendim të ri: Prej nesër, ora policore fillon në orën 19:00
Qeveria ka sjellë vendim të ri për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve bazuar në rekomandimet...

Qeveria ka sjellë vendim të ri për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve bazuar në rekomandimet e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse.
“Lëvizja e popullatës në territorin e RMV-së do të jetë e kufizuar prej orës 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit prej të hënën deri të premten. Gjatë vikendeve lëvizja e qytetarëve do të kufizohet prej orës 15:00 ditën e shtunë deri në orën 5:00 të mëngjesit të ditës së hënë.”,- bëjnë të ditur nga Qeveria, duke theksuar se vendimi hyn në fuqi prej ditës së enjte.
Po ashtu në bazë të këtij vendimi lëvizja e qytetarëve të moshës mbi 67 vjet prej të hënës e deri të premten, në periudhën kohore prej orës 12:00 deri në orën 5:00 të ditës së ardhshme do të jetë e kufizuar, kurse gjatë vikendeve prej orës 11:00 ditën e shtunë deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit.
Të rinjtë deri në moshën 18 vjet, prej të hënën deri të Premten, në periudhën kohore 19:00 deri 13:00 të ditës së ardhshme nuk do të mund të lëvizin.
Gjatë vikendeve për të rinjtë ndalohet lëvizja ditën e shtunë prej orës 05:00 deri orën 13:00 dhe prej orës 15:00 të së dielës deri në orën 05:00 ditën e hënë.
Njëherit, ndalohet lëvizja e automjeteve të transportit publik në territorin e vendit prej orës 19:00 deri në 05:00 të ditën e nesërme.
Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë 24 orëve të fundit në territorin vendit është marrë vendim për izolimin e 63 personave, ndërsa 54 persona kanë nënshkruar deklaratë për vetizolim si pasojë e pandemisë Covid-19.
Policia ka kryer kontrolle të personave në izolim-vetizolim, ku janë regjistruar dy shkelje të masës së vetizolimit.
Sa i përket ndalesës për qarkullim, në 24 orët e fundit 33 persona nuk e kanë respektuar orën policore, prej të cilëve 18 janë arrestuar nga policia, ndërsa për të tjerët policia ka marrë të dhënat dhe ndaj tyre do të merren masa konkrete.
REJHANE BUSHI METAJ
