Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë: Një i vdekur, 28 të infektuar dhe 48 të shëruar

22.04.2020 17:43

Për tre ditë me radhë, numri i personave të shëruar nga Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut...

Për tre ditë me radhë, numri i personave të shëruar nga Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut është më i lartë se numri i të infektuarve të rinj.

Në 24 orët e fundit janë evidentuar 48 pacientë të shëruar, derisa janë regjistruar 28 raste të infektuar.

Një ditë më parë kishte 24 pacientë të shëruar dhe shtatë të infektuar, ndërsa të hënën kishte 21 të shëruar dhe 18 të infektuar.

Nga pacientët e shëruar në 24 orët e fundit, 6 pacientë ishin në trajtim spitalor, ndërsa 42 ishin në trajtim shtëpiak. Po ashtu është regjistruar edhe një e vdekur.

“Në Spitalin “8 Shtatori” ndërroi jetë pacientja 51 vjeçe nga Shkupi. Ajo ishte pranuar në spital më 9 prill në gjendje të rëndë shëndetësore dhe e njëjta menjëherë ishte vendosur në respirator.”–bën të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Sa u përket të infektuarve, 11 janë nga Shkupi, 2 nga Kumanova, 9 nga Prilepi, 2 në Tetovë, në Veles 3 dhe në Valandovë 1.

Numri total i personave të diagnostikuar me Covid-19 arrin në 1259, prej të cilëve gjithsej 272 janë shëruar, ndërsa 56 kanë humbur jetën. 

Po ashtu në 24 orët e fundit në vend janë kryer 660 teste, ndërsa numri i përgjithshëm i personave të testuar për Kovid-19 arrin në 13 mijë.

GYLTENE SINANI