Maqedoni

LSDM: Nismë për riaktivizimin e Kuvendit; BDI: Nuk jemi të informuar, nisma kërkon konsensus; VMRO-DPMNE: Kundër nismës së LSDM-së; PDSh: Të formohet qeveri e unitetit

22.04.2020 18:06

Një grup deputetësh nga LSDM të enjten pritet t’i dorëzojë kreut të Kuvendit, Talat Xhaferit...

Një grup deputetësh nga LSDM të enjten pritet t’i dorëzojë kreut të Kuvendit, Talat Xhaferit, një nismë për riaktivizimin e Kuvendit.

Sipas Social-demokratëve, qëllimi i nismës për seancë urgjente të Kuvendit është të konfirmohet gjendja e jashtëzakonshme që javën e kaluar e shpalli presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.                                                  

“Qëndrim i grupit parlamentar është se Kuvendi në situatë të tillë duhet të vendoset në funksion. Gjithsesi se jemi në pajtueshmëri me Kushtetutën, prandaj mendoj se duhet të bëjmë edhe një përpjekje. Është mirë të thirret Kuvendi, marrë parasysh kohëzgjatjen e krizës shëndetësore, por edhe rikonfirmimin e vendimit të presidentit të shtetit.”,- tha Kostadin Kostadinov nga LSDM.                                                                                           

I pyetur se a është kjo tentativë për shkarkimin e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, i cili deri tani ka mbajtur qëndrim se kuvendi është shpërbërë, prandaj nuk mund të thërras seancë, Kostandinov e dha këtë përgjigje:

“Të gjitha spekulimet për gjoja tentativë të grupit tonë parlamentar për largimin e kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi, sigurisht që i hedhim poshtë.”,- tha Kostadin Kostadinov nga LSDM.                                                                                        

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ka thënë se do të prononcohet pasi ta marrë iniciativën. Ndërsa nga BDI thonë se nuk janë të informuar për iniciativën e LSDM-së, por vlerësojnë se çdo vendim që ka të bëjë për të mirën e qytetarëve duhet të sillet me konsensus të gjerë.  

“Ne nuk jemi të njoftuar me përmbajtjen e iniciativës së LSDM-së dhe deri tash nuk është kërkuar përkrahje apo konsultim për këtë çështje. Sa i takon të gjitha çështjeve që lidhen me gjendjen aktuale e cila i tangon të gjithë qytetarët, do të ishte mirë që të njëjtat të zgjidhen me konsensus të gjerë dhe përkrahje të gjerë. Në mënyrë konsensuale e shpërndamë Kuvendin, po ashtu i kemi anuluar zgjedhjet. Sigurisht se do ta shqyrtojmë iniciativën, sapo të dorëzohet në Kuvend.”,- thonë nga BDI.

VMRO-DPMNE nuk e mbështet iniciativën e LSDM-së, por mbeten në qëndrimin e takimit të fundit të liderëve.                                                                                   

“Çfarëdo hapi që është jashtë asaj që janë marrë vesh në takimin e liderëve, në takimin e fundit të liderëve politikë, paraqet shkelje të njëanshme të parimit për konsensus politik. Është e qartë se bëhet fjalë për dy gjëra. Zaev futet në aranzhim privat me deputetë ose është dëshira shumë e madhe të bëhet gjueti në mjegull.”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.

Nga PDSh vlerësojnë se në këto rrethana duhet të thirret Kuvendi, prandaj do ta mbështesin iniciativën e tillë. Madje, kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, propozon formimin e një qeveri të unitetit, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë parlamentare.

“Ne jemi demokraci parlamentare. Kuvendi e kontrollon pushtetin ekzekutiv. Nëse në momente të caktuara, siç gjendemi tani, kemi gjendje të jashtëzakonshme, ekziston rrezik i madh Qeveria të veprojë pa kontroll parlamentar. Këtë tashmë dy herë e paralajmërojmë në konferencë për media se ashtu paralajmërojmë në konferenca për media, sepse ashtu vepron BDI-ja, të cilët dukshëm kanë pak më pak se një për qind pushtet absolut te shqiptarët. Mendojmë se në seancën e parë të Kuvendit do të duhet të diskutohet për Qeveri të unitetit nacional në të cilën do të marrin pjesë të gjitha partitë parlamentare.”,- u shpreh lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi.                                                         

Iniciativa për konstituimin e Kuvendit vjen pasi në mungesë të kuvendit kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski, për herë të dytë ka vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme edhe për 30 ditë, për shkak të krizës së shkaktuar nga virusi Korona.

SANIJE DURAKU