Shqipëri, Kruja - vatër e re e virusit Korona
Rëndohet situata në qytetin e Krujës, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitivë me Covid-19...

Rëndohet situata në qytetin e Krujës, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitivë me Covid-19, 18 punonjës të fasonerisë dhe persona kontakti.
Një rritje e numri të rasteve është shënuar edhe në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Kurbin. Ndërkaq, një tjetër viktimë është regjistruar nga Covid-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 27.
"Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 252 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 25 raste pozitive me COVID-19. Vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë, ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin. Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një pacient 71-vjeçar në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili ishte prej dy javësh i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese si: diabeti, kardiopati, ç'rregullime të ritmit kardiak dhe fibrilacion trial.",- deklaroi zëvendësministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Ndërkohë, kryeministri,Edi Rama, ka paralajmëruar lehtësimin e mëtejshëm të masave të kufizimit, duke filluar nga data 4 maj.
Nëse infektimet do të jenë më të shpeshta, atëherë masat kufizuese do të rikthehen sërish.
LULJETA NDOKA
