Orav: Nuk ka kohë, të zgjidhen menjëherë të gjitha pikat shqetësuese
Maqedonia nuk duhet të shpërqendrohet nga agjenda evropiane, por në mënyrë të hapur, me qasje inkluzive të hapërojë drejt reformave për ta avancuar pozicionin drejtë BE-së.......

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, përshëndeti vendimin e PDSh-së për t’u kthyer në parlament, ndërkaq ftoi LSDM-në që ta bëjnë të njëjtin veprim, për të dëshmuar që Maqedonia ka kapacitete demokratike dhe plotëson kriteret e Kopenhagës.
Në seancën e përbashkët të Këshillit Nacional për Eurointegrime, Komisionit për Çështje Evropiane dhe atij për Politikë të Jashtme, Besimi tha se do të angazhohet për plotësimin e rekomandimeve të KE-së.
“Është e natyrshme që gjithnjë të synojmë të jemi më të mirët, të jemi të parët, të jemi të suksesshëm. Por, kësaj radhe duhet të pranojmë se nuk jemi shembulli më i mirë në rajon. Besoj se e tillë ka qenë qasja edhe e KE-së, kësaj radhe duke besuar se Maqedonia mundet edhe më mirë”- deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
Edhe euroambasadori, Aivo Orav, vlerëson se deri në dhjetor ka mjaftë kohë për të përmirësuar dialogun politik.
“Nuk ka kohë dhe vlerësoj se të gjitha këto pika që paraqesin shqetësim duhet të zgjidhen menjëherë. Duhet të merreni me pavarësinë e gjyqësisë, pavarësinë e madiave dhe nëse kjo bëhet sot, vështirë se dikush mund t’i sheh rezultatet nesër, pasi për këto reforma duhet kohë, por çështja e dialogut politik mund të tejkalohet brenda natës. Ashtu siç zëvendëskryeministri përshëndeti kthimin e PDSh-së në kuvend, po ashtu edhe ne e përshëndesim dhe njëkohësisht urojmë që edhe LSDM të kthehet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Shpresojmë që pushteti dhe partitë opozitare së shpejti do të fillojnë dialog konstruktiv”- tha ambasadori i BE-së, AIvo Orav.
Ndërkaq, kryesuesi me seancën e përbashkët, Ilija Dimovski, u përpoq që fajin për një qorrsokak t’ia hedh kryesisht opozitës, e cila, sipas tij, ka dëshiruar që Maqedonisë t’i merret rekomandimi.
Dimovski nuk kurseu as institucionet e BE-së, duke i quajtur si bashkëfajtorë që Maqedonia ka hyrë në qorrsokak.
“E di se të gjithë kemi qëllim të përbashkët strategjik dhe shpresoj se ky qëllim do të jetë motiv mjaft i fuqishëm që të gjithë subjektet të ndihmojnë në realizimin e prioriteteve tona. Në anën tjetër, shpresojmë se edhe faktori ndërkombëtar do të përpiqet ta gjejë rolin e vet në zgjidhjen e qorrsokakut, me të cilin Maqedonia po përballet gjashtë vitet e fundit. Është e qartë se keqpërdorimi i institucioneve të BE-së nga njëra anëtare po krijon problem në aspekt më të gjerë”- u shpreh kryesuesi i seancës së përbashkët, Ilija Dimovski.
Në raportin e fundit, KE rikonfirmoi rekomandimin për hapjen e bisedimeve të shoqëruara me një mori vërejtjesh dhe obligimesh. “Marrë parasysh përparimin që ka bërë vendi, komisioni vlerëson se kriteri politik është i plotësuar mjaftueshëm dhe e mban rekomandimin për fillimin e bisedimeve paraqasëse, por shpreh keqardhje për hapat pas, vitin e kaluar.”- thuhet në Raport. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
