Ohër-Prespë, certifikohet rezervë ndërkufitare biosferë
Zona Ohër-Prespë, merr zyrtarisht statusin Rezervë Ndërkufitare Biosferë. Dokumenti i certifikimit të basenit Ohër-Prespë i është dorëzuar ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, e firmosur nga Drejtorja e UNESCO-s, zonja Irina Bokova....

I pranishëm në ceremoni ishte ministri i Mjedisit i Maqedonisë, Nurhan Izairi, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi dhe përfaqësues të UNESCO-s.
Sipas Izairit, ky certifikim do të rrisë nivelin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Mjedisit të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë për promovimin e kësaj zone. Sipas tij, çështja e mbrojtjes së mjedisit rrëzon të gjitha barrierat mes shteteve.
Ndërsa ministri i Mjedisit në Shqipëri, Lefter Koka dhe zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, e vlerësuan certifikatën e UNESCO-s me rëndësi globale për këtë basen, si një zonë me vlera të jashtëzakonshme mjedisore, ekonomike, shkencore dhe kulturore.
Rezerva e re Ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë përfshin basenin e liqenit të Ohrit, si dhe basenin e të dy liqeneve të Prespës që lidhen me të.
Zona karakterizohet nga një biodiversitet i pasur me specie të rralla e të rrezikuara në nivel global. Për këtë arsye, Këshilli Koordinativ Ndërkombëtar i Programit “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s ka miratuar nominimin në mbrojtje të saj në qershor 2014. (Luljeta Ndoka, TVM2)
