Maqedoni
Kuvend nismë për thirrje të seancës urgjente
23.04.2020 13:47
Deputetët e koalicionit të udhëhequr nga LSDM, kanë dorzuar në kuvend kërkesën...

Deputetët e koalicionit të udhëhequr nga LSDM, kanë dorzuar në kuvend kërkesën për konvokimin e seancës urgjente që të konfirmohen vendimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së Kovid-19 nga ana e presidentit. Nismës i janë bashkangjitur kolegët e tyre deputetë nga ASh, PDSh, Besa, Alternativa dhe grupi i pavarur parlamentarë i VMRO-DPMNE-së.
"Të konfirmohen vendimet e Presidentit të vendit dhe për të qenë në funksion dhe kontroll të pushtetit ekzekutiv. Kështu është në çdo demokraci. LSDM po tregon kapacitet demokratik edhe në kohë krize, nuk ka problem që qeveria të kontrollohet nga parlamenti. Kuvendi është shtëpia e demokracisë, ku përfaqësuesit e zgjedhur të popullit kanë fjalën e fundit."- tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
VMRO-DPMNE: Kuvendi i shpërbërë nuk mund të mblidhet
Kundër kësaj nisme u deklaruan nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Sipas tyre kushtetuta është e qartë, kuvendi i shpërbërë nuk mund të mblidhet sërish.
"Pas nga shpërbërjes së kuvendit organizohen zgjedhje, për momentin zgjedhjet janë stopuar për shkak të krizës së madhe shëndetësore dhe ekonomike me të cilën përballet Maqedonia dhe ky kuvend nuk mundet të mblidhet për shkak se është i shpërbërë. Është shum e qartë mbase nuk duhet të jeshë ekpsert për ta kuptuar. Pra janë të qarta dispozitat e kushtetutës si dhe aktet pozitive ligjore kështuqë kuvend i shpërbërë nuk mund të mblidhet."- tha Aleksandër Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga zyra e kreut të kuvendit Talat Xhaferi akoma nuk janë prononcuar nëse dhe kur do të thirret seancë. Për shqyrtimin e kërkesës nuk ka afate të shkruara. Paraprakisht, Xhaferi ka deklaruar se Kuvendi i shpërndarë nuk mund përsëri të mblidhet.
Ndërkohë BDI pritet që të prononcohet, lidhur me këtë nismë. Kuvendi u shpërbë më 16 shkurt teksa zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin shpallur për më 12 prill, por ato u anuluan për shkak të përhapjes së pandemisë.
NAIM RAMADANI
