Sonte ndeshja futbollistike Shqipëri-Serbi

14.10.2014 17:54

Mbështetja për skuadrën kombëtare shqiptare në ndeshjen përballë Serbisë në Beograd ndoshta do të mungojë brenda stadiumit, por në të gjitha qytetet e banuara me shqiptarë, përfshirë edhe Shkupin, do të bëhet tifo për kuqezinjtë, duke shpresuar për rezultat të favorshëm........

Që në mesditë, të gjithë lokalet në Çarshi, por edhe në sheshin “Skënderbeu”, u ndje atmosfera e përgatitjeve për të ndjekur qoftë edhe nëpërmjet videobimit në sheshin “Skënderbe”, që do të vendoset nga Komuna e Çairit, apo nëpërmjet ekranit nëpër lokale dhe shtëpitë e tyre ndeshjen e kombëtares shqiptare me atë serbe.

Qytetarët thonë se edhe pse nuk do të jenë në stadium, përkrahja nuk do të mungojë, ndërsa gëzimi do të jetë i pafund në rast të fitores.

“Edhe pse e kemi pasur të ndaluar të shkojmë ta përcjellim ndeshjen në Serbi, do të thotë këtu në Çarshinë e Vjetër të gjithë lokalet janë organizuar që t’u japin përkrahje lojtarëve tanë dhe skuadrës së Shqipërisë dhe shpresojmë për fitore”- u shpreh një qytetarë.

“Nga stadiumi nuk do ta shikoj lojën, por do ta shohim në kafe me shokë, me shoqëri, besoj se po, do të kenë mbështetje”- tha një qytetarë.

“Pavarësisht se nuk kemi mundësi ta ndjekim ndeshjen, përkrahja morale nuk do të mungojë asnjëherë”- theksoi një qytetarë.

“Po, do të ketë atmosferë shumë të mirë, siç pati edhe sikur i keni parë disa video që janë lancuar në “Facebook” kundër Danimarkës, kjo është lojë historike për ne kundër serbëve dhe besoj se do të jetë edhe 100 fish më mirë se herën e kaluar dhe besoj se gjithë shqiptarët e Shkupit do ta shikojnë lojën në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Ata e dinë në zemrat e tyre se ne i përkrahim shumë dhe me siguri janë shumë më të motivuar”- u shpreh një qytetarë.

Ndeshja në Beograd me vendim të “UEFA”-s do të luhet pa tifozët shqiptarë, ashtu siç do të luhet pa tifozët serbë në “Elbasan Arena”, pasi që marrë parasysh raportet historike mes dy popujve, ajo është vlerësuar si ndeshje me rrezikshmëri të lartë.

Megjithëse nuk kanë munguar edhe njoftimet në media se rreth 100 tifozë shqiptarë nga Kosova e Lugina e Preshevës do të jenë brenda stadionit në Beograd për t’i dhënë krah kombëtares. Për atë se sa është rrezikshmëria në këtë ndeshje flet edhe njoftimi në mediat serbe se rreth 4 mijë policë serbë do të përkujdesen që në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit të zhvillohet në kushte sado normale ndeshja Serbi–Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e "France 2016", e cila fillon në orën 20:45. (Mefail Ismaili, TVM2)