OBSH- “Covid 19” në Europë: Gati gjysma e viktimave , në shtëpitë e kujdesit

23.04.2020 21:26

Vazhdon beteja në botë për parandalimin e virusit Korona...

Vazhdon beteja në botë për parandalimin e virusit Korona. Shtete të ndryshme kanë marrë vendime të ndryshme sa u përket udhëzimeve për përdorim të maskave.

Gjermania do të bëjë  të detyrueshme vendosjen e maskave për të gjithë qytetarët, e gjithë kjo vjen në kuadër të parandalimit të mëtejshëm të koronavirusit të ri, Covid-19 pasi vendi ka regjistruar 150,648 persona të prekur dhe 5,315 viktima. Austria i ka bërë maskat  të detyrueshme gjatë blerjeve nga fillimi i këtij muaji, Zvicra ka njoftuar të mërkurën se nuk të kërkojë vendosjen e tyre nga qytetarët, teksa lehtëson masat e izolimit.

Qeveria britanike ndërkohë, planifikon që në fillim të majit të ndajë testet e para  nëpër familje.  Të rriturit në rreth 1.000 nga familjet do të japin një mostër gjaku për të zbuluar se në cilën pjesë të popullsisë është zhvilluar antitrupa ndaj Covid-19.

Në total, Qeveria thotë se rreth 25,000 njerëz do të marrin pjesë në fazën pilot me planet për ta shtrirë atë deri në rreth 300,000 gjatë 12 muajve të ardhshëm.

OBSH alarmon ndëkrohë se pothuajse gjysma e të gjithë personave që kanë vdekur nga virusi korona në Evropë kanë qenë banorë të shtëpive të kujdesit.

“Sipas të dhënave të shteteve nga rajoni europian, gati gjysma e atyre që kanë vdekur nga sëmundja Covid-19, kanë qenë banorë të shtëpive të kujdesit. Kjo është një tragjedi njerëzore e paimagjinueshme” – tha Hans Kluge, Drejtor rajonal i OBSh-së në Europë.

Kina po njeh përmirësime të dukshme jo vetëm në këtë aspekt, por edhe në numrin e rasteve të reja.Për të gjashtën ditë radhazi, atje  nuk ka asnjë vdekje nga virusi korona. Ka vetëm 10 raste të reja për 24 orët e fundit.

Numri i rasteve të importuara nga udhëtarët ra në 6 nga 23 që ishte një ditë më parë. Si pasojë e virusit deri më tani në gjithë botën janë infektuar mbi 2.6 milionë persona derisa mbi 180,000 kanë vdekur dhe 730.339  janë shëruar. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)