Maqedoni
VMRO-DPMNE: Mos i vendosni në rrezik nxënësit
24.04.2020 14:04
VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj paralajmërim të kryeministrit, Oliver Spasovski...

VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj paralajmërim të kryeministrit, Oliver Spasovski, për mundësinë e hapjes së shkollave nga mesi i muajit maj. Kjo, sipas VMRO-së, rrezikon një gjendje të re kaotike në arsim.
“Kaosi që pushteti i LSDM-së e krijon në arsim nuk po ndërpritet. Ende nuk ka libra, ende nuk ka sistem për mësim nga distanca, siç imponon situata, ende është aktual problemi me rrogat e arsimtarëve, ndërsa tani në mes të epidemisë LSDM dhe kryeministri teknik, Oliver Spasovski, paralajmërojnë hapjen e shkollave dhe vazhdimin e vitit shkollor. Do të thotë përsëri krijohet kaos i ri pas vendimit për mësim nga distanca, pa përgatitje të kuadrit arsimor, prindërve dhe nxënësve, pa analizë të pajisjeve teknike që posedojnë shkollat dhe nxënësit, pa analizë të përfshirjes së nxënësve në procesin mësimor, pason kaos i ri arsimor me hapjen e shkollave. Përsëri pa strategji, analizë të mundësive teknike, përkatësisht infrastrukturës, pa analizë të resurseve njerëzore dhe pa financa të planifikuara.”,- deklaroi Vesna Janevska nga VMRO-DPMNE.
Njëherit nga VMRO pyesin: Sa është i realizueshëm mësimi me banka në largësi prej dy metrash, pasi në një klasë do të mund të mësonin 10 deri në 15 nxënës, e jo rreth 30 siç është aktualisht. Cili do të ishte orari i punës së arsimtarëve nëse ata duhet të punojnë në grupe me nga 10 deri në 15 nxënës dhe si do të paguheshin ata? Si do të mbahen nxënësit gjatë pushimit në grupe prej dy deri në tre nxënës në distancë prej dy metrash? Si do të organizohet ushqimi i nxënësve? A ka kushte nëpër shkolla për mbajtjen e higjienës së duarve pas çdo ore? Si të gjithë nxënësit dhe arsimtarët në 5 deri në 10 minuta pushim para secilës orë do t’i pastrojnë duart në kuadër të mbrojtjes nga virusi? Sa do të zgjasë ora nëse një klasë ndahet në dy grupe? Sa herë duhet të qarkullojë autobusi shkollor nëse respektohet masa për kufizimin e numrit? Po ashtu a do të duhet gjyshërit dhe gjyshet t’i dërgojnë nipërit dhe mbesat në shkollë? Me hapjen e shkollave a po pranohet dështimi i mësimit nga distanca? A ka strategji për nxënësit që nuk ishin përfshirë në mësimin elektronik, e sidomos për fëmijët me pengesa? Nëse i mbyllët shkollat kur brenda ditës kishte 10 të infektuar, pse i hapni tani kur kemi 30 deri në 40 të infektuar në ditë? Si dhe maturantët a do të japi provimin e maturës prej 10 deri më 15 qershor? Këto pyetje VMRO-DPMNE ia adreson Qeverisë, Ministrisë së Arsimit dhe LSDM-së.
GYLTENE SINANI
