Maqedoni
Rrjeti 5G, Latifi: Nuk dëmton, s’ka lidhje me Kovid-9
24.04.2020 15:35
Qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga rrezatimet që i posedon rrjeti 5G....

Qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga rrezatimet që i posedon rrjeti 5G. Njohësit e kësaj fushe hedhin poshtë teoritë që po qarkullojnë ditëve të fundit në rrjetet sociale për gjoja pasojat që sjell për shëndetin e qytetarëve instalimi i kësaj teknologjie.
Profesori i shkencave të teknologjive bashkëkohore, Shpëtim Latifi, i ftuar në studion e mëngjesit në TVM2, theksoi se testimi i kësaj teknologjie në vendin tonë nuk ka lidhje madje as me virusin Korona, pasi i njëjti ka nisur të implementohet që para paraqitjes së pandemisë.
“Dua të them që rrjeti 5G nuk ka filluar tani të testohet, këto testime kanë nisur 3 vitet e fundit në fazë eksperimentale në vitin 2019, pra para paraqitjes së virusit Korona. Kanë nisur një numër i shteteve ta testojnë po ashtu para paraqitjes së virusit, edhe në Maqedoni ka nisur testimi i rrjetit 5G dhe edhe në dokumentet e BE-së parashihet që të gjitha shtetet anëtare në vitin 2020 që së paku një qytet të ketë të implementuar teknologjinë 5G.”,- deklaroi profesori i shkencave të teknologjisë bashkëkohore, Shpëtim Latifi.
Leje për 5G në RMV, AKE: Tender në fund të vitit
Drejtori i Agjencisë për Komunikime Elektronike, Sasho Dimitrijovski, në një intervistë për MIA-n theksoi se operatorë vendorë, kompani të interesuara dhe qytetarë, deri më datë 20 të këtij muaji, kur skadoi afati, kanë dorëzuar mendime dhe vërejtje lidhur me dhënien e planifikuar të lejeve për shfrytëzimin e radio-frekuencave për teknologjinë 5G.
“Të gjitha mendimet e arritura do të shqyrtohen nga shërbimet profesionale në AKE dhe do të implementohen në mënyrë përkatëse në procedurë ligjore, e cila është paraparë në pajtim me Ligjin për Komunikim Elektronik (LKE) për ndarjen e këtyre radio-frekuencave. Në pajtim me PKOB, procedura e tenderit pritet të fillojë deri në fund të vitit 2020. Do të dublimohen mendimet e arritura dhe së bashku me rregullativën aktuale në Maqedoninë e Veriut, e cila është në linjë të njëjtë me atë evropiane, do të përshkruhen kushtet që do të theksohen si kërkesa, të cilat operatorët do të marrin leje, do të duhet t’i plotësojnë.”,- tha drejtori i AEK, Sasho Dimitrijovski.
Nga AKE theksojnë se aktualisht matje të rrezatimit jo-jonizues është bërë në disa lokale nga 5G test-rrjeti i Telekomit të Maqedonisë për të cilën është dhënë leje e përkohshme deri më 31 tetor të këtij viti për shtrirjen 3.6 deri 3.7 Mhz. 5G është gjenerata e re e rrjetit celular (mobil) e cila së shpejti do ta zëvendësojë rrjetin e deritanishëm 4G. Quhet 5G, sepse është gjenerata e pestë dhe është një fazë e pashmangshme e zhvillimit teknologjik. Me 5G, shpejtësia e shkarkimit dhe ngarkimit të të dhënave në internet do të rritet jashtëzakonisht shumë, madje pritet të jetë 20 herë më i shpejtë se sa rrjeti që përdorim aktualisht.
ZEKIRJA MEXHITI
