Maqedoni
Kumanovë, vetëm 2 raste të reja me Covid-19
24.04.2020 16:26
Gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Kumanovës janë regjistruar dy raste të reja me COVID-19...

Gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Kumanovës janë regjistruar dy raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin në total në 355, nga të cilët 31 në komunën e Likovës. Numri i viktimave është 14, kurse i të shëruarve 4.
Masa qeveritare për mbajtjen e maskave mbrojtëse në qytet, por edhe në markete e barnatore, kryesisht po respektohet me përjashtime të vogla. Ndonëse komuna e Kumanovës po ndan maska në punkte të caktuara para bankave dhe institucioneve shtetërore, ka qytetarë që edhe vet po i blejnë maskat nëpër barnatore.
Në bazë të urdhrit të Shtabit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim edhe sot ka vazhduar dezinfektimi i ambienteve të institucioneve të ndryshme si dhe i rrugëve dhe rrugicave në qytet dhe lagjet periferike.
Nga e premtja, pas gati më tepër se një muaj e gjysmë, me kërkesë të kryetarit të komunës së Kumanovës, në të gjitha organet e komunës orari i punës është rikthyer sikurse para krizës me virusin Korona, respektivisht si në kushte normale, pra me orar të plotë pune për të gjithë të punësuarit në administratën komunale. Edhe kjo është një ndër masat lehtësuese në këtë periudhë pandemie.
Në rikthimin e vendeve të tyre të punës presin edhe shumë zejtarë, tregtarë e të punësuar të tjerë në biznese të vogla, të cilat për shkak të pandemisë tash një kohë të gjatë nuk janë duke funksionuar.
FATLUM AQIFI
