LSDM sqaron nismën për mbledhje të Kuvendit: Nuk synojmë kthimin e Qeverisë politike

24.04.2020 17:17

LSDM ka sqaruar se qëllimi i nismës për riaktivizimin e kuvendit....

LSDM ka sqaruar se qëllimi i nismës për riaktivizimin e kuvendit është që të miratohen dy vendimet e presidentit për gjendje të jashtëzakonshme.

Sipas kësaj partie, pas kësaj iniciative nuk fshihet asgjë tjetër dhe nuk synojnë kthimin e Qeverisë politike, pasi deri tani Qeveria teknike ka funksionuar mirë dhe thirrja e Kuvendit nuk ka lidhje me të, thonë nga LSDM.

“Qëndrimi i deputetëve që kanë nënshkruar nismën që iu dorëzua arkivit të kuvendit është se kuvendi duhet të vendoset në funksion. Nevoja për thirrjen e kuvendit del nga kohëzgjatja e krizës shëndetësore dhe njëherit edhe për vërtetimin e vendimeve të presidentit të shtetit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.”,- deklaroi Jagoda Shahpanska nga LSDM.

VMRO-DPMNE: Kuvendi i shpërbërë nuk mund të mblidhet

Por, nga VMRO-DPMNE janë kundër riaktivizimit të kuvendit, pasi sipas tyre kuvendi i shpërbërë nuk mund të mblidhet.

“Zaev është i gatshëm të kthejë Kuvendin e shpërbërë, që do të paraqesë një presedan të madh dhe shkelje brutale e Kushtetutës. Ajo se vetëm 30 deputetë e mbështesin nismën e tij nga 120, dëshmon se nuk ka kontroll në luftën e tij për shpëtimin e karrierës së tij”,- thonë nga VMRO-DPMNE. Kjo parti kërkon nga presidenti të thërrasë takim liderësh për të kuptuar qëllimin e vërtetë të nismës së LSDM-së mbi kthimin e Kuvendit. Kthimin e Kuvendit e kundërshton edhe BDI-ja, ndërsa e mbështet PDSh dhe Aleanca për Shqiptarët. Partitë tani presin qëndrimin dhe hapat e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, rreth nismës së LSDM-së për të riaktivizuar kuvendin.

Sipas LSDM-së, kryeparlamentari nuk ka të drejtë të mos e thërrasë mbledhjen e Kuvendit. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)