Filipçe: Një i vdekur, 26 të infektuar dhe 36 të shëruar

24.04.2020 17:35

Gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një i vdekur dhe 26 raste pozitive me Covid-19....

Gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një i vdekur dhe 26 raste pozitive me Covid-19 prej 404 testeve të realizuara në vend. Bëhet fjalë për një 80 vjeçar i cili ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive, ku është trajtuar prej 21 prillit, njoftoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Në lidhje me gjendjen e të sëmurëve nëpër spitale, në Klinikën  Infektive janë pranuar 3 pacientë dhe gjithsej janë të hospitalizuar 61 pacientë dhe në ventilim mekanik janë 6 persona. Në Spitalin “8 Shtatori” janë hospitalizuar gjithsej 24 pacientë dhe me pasqyrë të rëndë klinike janë 6 pacientë, të cilët janë në aparate të frymëmarrjes. Në spitalet e tjera të vendit që ka reparte infektive, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në gjendjen e tyre shëndetësore.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Numri më i madh i të infektuarve në 24 orët e fundit është regjistruar në Shkup - 11 persona, në Kumanovë 2 të infektuar, në Tëtovë 3, Në Strugë 6, ndërsa në Manastir, Gostivar, Vinicë, Negotinë ka nga një të infektuar.

Ministri Filipçe potencoi se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 36 pacientë me virusin Korona, dy prej të cilëve kanë qenë të hospitalizuar, ndërsa 34 janë kuruar në kushte shtëpiake, me çka numri i personave të shëruar në vend shkon në 337.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend ka arritur në 1.326, ndërsa numri i rasteve që kanë përfunduar me vdekje arrin në 57 persona. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)