Maksuti: Rimbledhja e Kuvendit nuk ka bazë kushtetuese

24.04.2020 17:49

Iniciativën për rikthimin e Kuvendit, profesori universitar, Mersim Maksuti....

Iniciativën për rikthimin e Kuvendit, profesori universitar, Mersim Maksuti, e vlerëson si jokushtetuese. Ai sqaron se Kushtetuta në këtë drejtim është e qartë, ku thuhet se pas shpërbërjes së Parlamentit shkohet në zgjedhje dhe kjo është e padiskutueshme.

Tentativën për futjen në funksion të Kuvendit, Maksuti e cilëson si një lloj politike e organizuar nga pozita dhe opozita, pasi që as në gjendje të jashtëzakonshme nuk ka bazë kushtetuese për kthimin e Kuvendit në funksion.                                                                           

“Qëllimi për rimbledhjen e Parlamentit nuk e justifikon kërkesën për shkak se kërkesa e grupit parlamentar të LSDM-së që të rimblidhet Parlamenti me arsyetimin se konstatohet gjendja e jashtëzakonshme që e ka shpallur presidenti i shtetit nuk qëndron, sepse konstatimin e gjendjes së jashtëzakonshme mund ta bëjë parlamenti i ardhshëm, deputetët e rizgjedhur pas zgjedhjeve parlamentare dhe kjo nuk peshon. Arsyeja tjetër që Parlamenti të jetë më funksional, as kjo nuk qëndron, për arsye se Parlamenti në gjendje të jashtëzakonshme, siç është edhe në gjendje lufte, ka kufizim të veprimtarisë së tij, d.m.th. një pjesë e funksioneve legjislative të parlamentit kalojnë te Qeveria. Prandaj roli i Parlamentit në këtë situate është i zbehtë dhe për këtë arsye nuk besoj se ka nevojë që të mblidhet Parlamenti.”,- deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.                                                                                                             

Musliu: Zgjedhjet, nga fundi i qershorit

Për analistin politik, Albert Musliu, mbajta e zgjedhjeve është e paevitueshme dhe ato, sipas tij, do të mbahen diku ka fundi i muajit qershor.                                                                                

“Me mbarimin e gjendjes së jashtëzakonshme mendoj se është e përcaktuar me ligj se në afat prej tre javësh, 21 ditësh, duhet të mbahen edhe zgjedhjet. Cila ishte data ideale? Tash ne kishim kundërshtime edhe me vetë shpërndarjen e Parlamentit, mendohej prej politikanëve, analistëve, se zgjedhjet duhej të mbahen në terminin e rregullt, por kishte kundërshtim prej politikanëve, së paku gjithë elita politike, gjithë partitë politike që bënin pjesë në Parlament e vendosën që ato të jenë të parakohshme. Në këtë rast besoj se nëse nuk vazhdohet me gjendjen e jashtëzakonshme, ku objektivisht kemi paralajmërime edhe për zbutjen e masave ajo mund të ndodhë tre javë, pasi përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, që d.m.th. do të jenë nga fundi i qershorit.”,- tha analisti, Albert Musliu.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, ende nuk ka dhënë përgjigje zyrtare se çfarë vendimi do të sjellë për iniciativën e nënshkruar nga 35 deputetë. Sipas rregullores së punës dhe ligjeve, nuk ka ndonjë afat kohor apo detyrim për t'iu përgjigjur kësaj kërkese. (Sanije Duraku, TVM2)