Inspektorati Shtetëror i Tregut: Maska nëpër barnatore ka, çmimi varet nga cilësia
Maska ka mjaftueshëm nëpër barnatoret në vend...

Maska ka mjaftueshëm nëpër barnatoret në vend, varësisht nga cilësia e maskave, çmimi sillet prej pesë deri në 95 denarë. Kështu theksojnë nga Inspektorati i Tregut, ku njoftojnë se pas denoncimeve për rritje të çmimeve të produkteve mbrojtëse, kanë kryer 64 kontrolle, nga të cilat në 3 raste është vepruar edhe më tej. Shitja në internet nga Inspektorati i Tregut nuk mund të kontrollohet.
“Sa i përket shitjes në Facebook, ne mund të kontrollojmë shitjen online vetëm nëse është në pyetje personi juridik, me seli, ku mund të kontrollohet çmimi i maskave. Por, për fat të keq, për shitjen përmes Facebook-ut nuk mund të kryejmë kontrolle, sepse aty mund të paraqiten edhe persona fizikë, të cilët mund të ofrojnë maska, dorëza dhe mjete të tjera mbrojtëse. Që do të thotë, të gjithë ata të cilët blejnë përmes Facebook blejnë në rrezik personal.”,- deklaroi drejtori i ISShT-së, Stojko Paunovski.
Njëherit, drejtori i Inspektoratit Sanitar Shtetëror bëri të ditur se inspektimi i jashtëzakonshëm nëse ka pasur shkelje të protokollit rreth takimit të përfaqësuesve qeveritar dhe atyre lokal në Kumanovë, i kryer më 18 prill, ka konstatuar disa shkelje.
Njëherit bëhet e ditur se izolimi i kryetarit të Kumanovës nuk mund të hiqet edhe pasi testi i fundit i tij ka dalë negativ, pasi ai duhet të kalojë 14 ditë në izolim.
Filipovska Grashkoska: Masat e Qeverisë në përgjithësi respektohen
Gjashtë institucionet që inspektojnë në këtë periudhë të pandemisë për 1 muaj kanë kryer mbi 33 mijë kontrolle. Pjesa më e madhe e kontrolleve është kryer nga Inspektorati i Tregut.
“Një pjesë e madhe e subjekteve juridike i respektojnë masat dhe vendimet që i sjell Qeveria. Këto masa janë sjellë me të vetmin qëllim, që të ruhet shëndeti publik dhe të njëjtat patjetër që duhet të respektohen. Apelojmë për përgjegjësi nga çdo subjekt juridik, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të luftojmë përhapjen e pandemisë.”,- theksoi kryetarja e Këshillit Inspektues, Magdalena Filipovska Grashkoska.
Nga Inspektorati i Tregut njoftuan se gjithsej 160 objekteve hotelierike u është vënë dryni, ndërsa përkujtojnë se për çdo mosrespektim pasojnë gjoba. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
