Botë

ShBA, mbi 53 mijë të vdekur nga virusi Korona

26.04.2020 12:54

Në ShBA janë regjistruar 2 mijë e 494 të vdekur në 24 orët e kaluara, njoftoi Universiteti “Johns Hopkins”...

Në total, SHBA-të numërojnë 53 mijë e 511 të vdekur, ndërsa janë regjistruar 936 mijë e 293 të infektuar.

Të premten, bilanci i të vdekurve, prej 1 mijë e 258, ishte më i ulëti në rreth 3 javë. Me 26 mijë e 384 viktima, Italia renditet e dyta për nga numri i vdekjeve, ndërsa Spanja renditet e dyta për nga numri i rasteve të konfirmuara, me gjithsej 223 mijë e 759 të infektuar.

Numri i viktimave nga virusi Korona në mbarë botën ka tejkaluar numrin prej 200 mijë personave, derisa numri i të infektuarve ka arritur në rreth 2 milion e 900 mijë persona.

Ndërkohë, autoritetet kineze kanë njoftuar se në qytetin e Vuhanit, ku u shfaqën për herë të parë rastet me virusin Korona, të gjithë personat që u prekën nga virusi janë liruar nga spitali.

“Sipas informacioneve të fundit, numri i rasteve të reja me virusin Korona në Vuhan është zero, falë përpjekjeve të stafit mjekësor në Vuhan”,- tha zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetit, Mi Feng, gjatë një konference për media.

Qyteti i Vuhanit kishte raportuar për 46 mijë e 452 raste me virusin Korona, 3 mijë e 869 prej të cilëve kanë humbur jetën.