Botë

Kovid-19, mbi 200 mijë viktima e rreth 3 milion të infektuar

26.04.2020 16:04

Në SHBA janë regjistruar 2494 të vdekur në 24 orët e kaluara, njoftoi Universiteti “Xhon Hopkins”...

Shteti amerikan më i prekur, Nju Jorku, ka nisur testimin masiv, duke u lejuar rreth 5 000 farmacive të kryejnë 40 mijë teste në ditë.

Vetëm në Nju Jork kanë ndodhur 1/3 e gjithsej 55 000 vdekjeve nga virusi në gjithë SHBA-në, si vendi më i goditur në botë.

Ndërkohë, sugjerimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të pirë apo injektuar dezinfektues kundër virusit Korona, ka shkaktuar edhe pasojat e para.

Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik në Illinois deklaroi se gjatë dy ditëve të fundit është rritur numri i helmimeve nga kemikalet.

Ndërkohë, Italia, si shteti i dytë në Botë me mbi 26 mijë viktima, ka vendosur të mbajë mbyllur shkollat deri në shtator.

Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte, ka njoftuar vendimin e qeverisë që nga 4 maji të nis rihapja e industrive dhe bizneseve.

Në Spanjë bilanci total ka arritur në 23 mijë e 190 të vdekur, që e bën vendin e tetë me numrin e të prekurve nga COVID-19.

Pason Franca, e cila ka regjistruar rreth 23 000 viktima dhe është shteti i katërt më i prekur në botë. Franca ka ndaluar të gjitha bizneset jo të domosdoshme deri më 11 maj, ndërsa qytetarët mund të dalin jashtë vetëm me leje të posaçme.

Ndërkaq, kryeministri i Britanisë, Boris Xhonson, do t’i rikthehet detyrës ditën e hënë pas tre javësh kujdesi intensiv. Ai nuk është shëruar plotësisht nga virusi, por ka vendosur t’i kthehet punës në kohë kur numri i viktimave ka tejkaluar 20 mijëshin.

Turqia është shteti i shtatë më i prekur në botë, me mbi 100 000 të infektuar dhe mbi 2700 viktima.

Ndërkohë, autoritetet kineze kanë njoftuar se në qytetin Vuhanit, ku u shfaqën për herë të parë rastet me virusin Korona, të gjithë personat që u prekën nga virusi janë liruar nga spitali. Në të gjithë

Kinën tani ka vetëm 800 raste aktive me Kovid-19, thonë autoritetet. Numri i viktimave nga virusi Korona në mbarë botën ka tejkaluar numrin prej 200 mijë personave, derisa numri i të infektuarve ka arritur në afër 3 milion, por mbi 800 mijë tanimë janë shëruar.

FARIJE DAUTI BAKIJU