Kosovrasti: Pandemia po shoqërohet me infodemi
Kjo periudhë e pandemisë me virusin Korona po përcillet me dezinformata të shumta në rrjetet sociale...

Kjo periudhë e pandemisë me virusin Korona po përcillet me dezinformata të shumta në rrjetet sociale, të cilat mund të ndikojnë negativisht te qytetarët, thotë psikologu, Admir Kosovrasti.
Ai thekson se qytetarët duhet të kujdesen që të informohen, por jo të dezinformohen.
“Kur flasim për virusin Korona padyshim rritet tensioni, rritet ankthi, i cili mund të kalojë në sulm paniku, mirëpo tash krahas pandemisë së virusit Korona ka mbërritur edhe një pandemi tjetër, ose infodemia, që në përkthim do të thotë se behet fjalë për pandemi ndaj lajmeve të rrejshme dhe shumë persona për fat të keq u besojnë atyre lajmeve të rrejshme që na vijnë nga rrjetet sociale, pra ata vazhdimisht rrisin ankthin dhe u besojnë shumë në krahasim me autoritetet shëndetësore që na rekomandojnë se si të sillemi. Tani në këtë periudhë më tepër u besojnë disa persona që japin lajme të rrejshme se sa autoriteteve shëndetësore, në këtë kontekst kisha theksuar edhe disa kontekste, disa individë jetonin në një iluzion të paprekshmërisë dhe aspekti tjetër është i personave që e nënvlerësojnë situatën. Këto dy koncepte mund të na çojnë që ne të kemi një sjellje të rrezikshme për veten tonë dhe për shoqërinë dhe bëhemi faktorë transmetimi të virusit.”,- deklaroi psikologu, M-r. Admir Kosovrasti.
Sa i takon sëmundjeve infektive, kyç në këtë proces është sjellja e individit, shprehet psikologu Kosovrasti, dhe nëse ne nuk respektojmë masat që i ka marrë qeveria dhe nëse ne kemi iluzion dhe perceptim të ulët ndaj situatës, ne bëhemi faktorë që të infektohemi ose të infektojmë dikë tjetër, ndaj shoqëria me shumë korrektësi duhet t’i respektojë masat e qeverisë dhe shtabeve lokale.
ATLI DEMA
