Maqedoni

Kumanovë, 8 raste të reja, 1 e vdekur dhe 100 të shëruar

26.04.2020 17:12

Gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Kumanovës janë regjistruar edhe 8 raste të reja...

Gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Kumanovës janë regjistruar edhe 8 raste të reja, duke e çuar numrin në total e të infektuarve me virusin Korona në 371.

Gjithashtu për fat të keq është regjistruar edhe një viktimë. Bëhet fjalë për një grua 49 vjeçare, e cila për shërim ka qëndruar në Spitalin “8 shtatori” në Shkup.

Me këtë numri i të vdekurve ka arritur në 15. Nga ana tjetër, edhe sot arrin shifër inkurajuese numri i të shëruarve, pasiqë si të tillë janë regjistruar 100 pacientë të prekur nga ky virus.

“Gjatë 24 orëve të fundit kemi 8 raste pozitive me COVID-19, një paciente që ka ndërruar jetë si dhe 100 të shëruar nga komuna e Kumanovës dhe Likovës, prej këtyre 8 rasteve pozitive, 5 janë nga komuna e Likovës, ndërsa 3 të tjerët janë nga Kumanova, pra nga testet e bëra përsëri kanë rezultuar pozitivë. Deri tani kemi bërë 30 teste dhe me këto e kemi përfunduar planin e sotëm.”,- tha drejtori i Q. SH. P. – Kumanovë, dr. Arif latifi.

Qytetarët kryesisht po e respektojnë masën për lëvizje të kufizuar, andaj edhe po qëndrojnë në shtëpitë e tyre, por ka edhe të atillë, të cilët me leje të posaçme po i kryejnë obligimet e tyre.

Gjithashtu ka mjaft markete dhe barnatore në Kumanovë dhe Likovë të cilat janë duke punuar online për t’i shërbyer qytetarëve me produkte ushqimore apo barna.

Ndërkohë që Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Kumanovë ka kërkuar nga komuna e Kumanovës që të përgatisë material informativ në formë të bilbordeve dhe broshurave, me qëllim të respektimit të masave për mbrojtje nga virusi COVID-19.

Të njëjtat të ngjiten nëpër vende të caktuara për bilborde, kurse broshurat t’u ndahen qytetarëve me qëllim të sensibilitetit të edukimit të qytetarëve në mbrojtje nga COVID-19.

FATLUM AQIFI