Botë

Shqipëri, Kovid-19 ia mori jetën një 60-vjeçari. Kosovë, humbi jetën një 43-vjeçar nga Gjilani

26.04.2020 19:10

Në Shqipëri ka ndërruar jetë edhe një pacient i prekur nga Covid-19. Bëhet fjalë për një person të moshës 60-vjeçare...

Në Shqipëri ka ndërruar jetë edhe një pacient i prekur nga Covid-19. Bëhet fjalë për një person të moshës 60-vjeçare, pasi ishte në gjendje të rënduar shëndetësore.

Numri total i të vdekurve nga Covid-19 në Shqipëri ka shkuar në 28, ndërsa numri i të prekurve arrin në 726, pasi në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 14 të infektuar.

“Në Krujë janë zbuluar 9 raste të reja, në Tiranë katër raste, një rast i ri në Shkodër. Deri tani janë testuar 7279 raste të dyshuara, prej tyre me Kovid-19 janë konfirmuar 726 raste, 7 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve në 410.”,- deklaroi Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ndërkohë, në Kosovë edhe një person ka humbur jetën nga Covid-19. Viktima është i moshës 46 vjeçare nga komuna e Gjilanit, ndërsa sipas mjekëve ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore.

Deri më tani numri i të vdekurve nga virusi Korona në Kosovë ka arritur në 21 persona, 165 janë shëruar, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovës arriti në 731 persona.

GYLTENE SINANI